Arbëri

Agjencisë së Regjistrit Civil s’i ndahen telashet - njëherë u mungoi letra, tash s’iu bën interneti

Ka disa javë që qytetarët po përballen me vështirësi për të marrë certifikata dhe dokumente të tjera të gjendjes civile në komunën e Prishtinës.

Si pasojë e furnizmit jostabil me internet nga Agjencia e Regjistrimit Civil, sistemi i gjendjes civile në Komunë ka rënë herë pas here nga funksioni dhe, sipas zyrtarëve komunalë, ka pasur raste kur nuk është kthyer për disa orë, raporton KTV.

Kjo po shkakton tollovi dhe revoltë, tani kur fluksi i qytetarëve është më i madh, e të cilët duhet të presin gjatë për të marrë shërbime.

Me të njëjtin problem janë përballur edhe disa komuna tjera, në të cilat ka pasur më shumë kërkesa nga qytetarët.

Ndërsa, zyrtarë të kryeqytetit thonë se u kanë shpjeguar qytetarëve se faji për këtë problem është i Agjencisë së Regjistrimit Civil.
 

Vasilika Zotaj – Asllani, Drejtoreshë e Administratës në Komunën e Prishtinës, pret që agjencia, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ta zgjidhë sa më shpejt këtë problem.

Drejtori i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Bekim Hoxha, nuk është përgjigjur në pyetjet e televizionit për këtë çështje, ndonëse ka premtuar se do ta bëjë një gjë të tillë.

Për disa muaj, qytetarët në shumë komuna të vendit janë përballur me mungesë të letrave origjinale të certifikatave të gjendjes civile.

Derisa MPB-ja kishte zgjidhur problemet e prokurimit, qytetarëve u ishin lëshuar dokumente të printuara në fletë të thjeshta të madhësisë A4.