Arbëri

Pas telasheve me ujë, “Kalabria” mbetet edhe pa rrymë

Descriptive Text

Lagja “Kalabria” në Prishtinë të martën është përballur me mungesë të ujit të pijshëm dhe të energjisë elektrike.

Nga mëngjesi deri pasdite, banorët e kësaj lagje u përballën me mungesë të furnizimit të ujit të pijshëm. Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” kishte njoftuar se arsye e mungesës së ujit është pëlcitja e tubit me diametër fi200mm PVC.

Ndërsa, pas rikthimit të ujit të pijshëm, banorët po përballen me mungesë të energjisë elektrike. Sipas zëdhënësit të KEDS-it, Viktor Buzhala, në “Kalabri” një pjesë e lagjes ka mbetur pa rrymë për shkak të një prishjeje të shkaktuar nga një kompani private. Ai ka bërë të ditur për Koha.net se rasti ka ndodhur rreth orës 15:30.

Buzhala ka thënë se në këtë rast janë dëmtuar dy kabllo dhe stabilimentet përcjellëse nga një kompani që ka qenë duke hapur kanale aty. Ai ka shtuar se ekipet po punojnë në vendin e ngjarjes për sanimin e dëmit, ndërsa ka shtuar se dëmtimet janë të shumta dhe mund të marrin kohë. Ka theksuar se rasti është dërguar në Polici.

“Rasti është në polici. Janë dëmtuar dy kabllo dhe stabilimentet përcjellëse nga një kompani që po hapte kanale aty. Ne nuk e dimë cila është ajo kompani apo çka po bënte. Ekipet janë ne vendin e ngjarjes duke e sanuar dëmin, por kjo merr edhe disa orë kohë, pasi dëmtimet janë të shumta dhe marrin kohë”, ka thënë ai.