Arbëri

6 vjet pa zgjedhje në Bashkësitë Lokale, Komuna skeptike për organizimin e tyre sivjet

Ka gjashtë vjet që kryetarëve të Bashkësive Lokale në Prishtinë u ka skaduar mandati.

Pavarësisht kësaj, ata vazhdojnë të punojnë në baza vullnetare, ndonëse jo me orar të plotë, raporton 038 në KTV.

Në disa prej bashkësive lokale, ofiqarët duhet t’i kryejnë edhe punët punonjësve të bashkësive, në mungesë të këtyre të fundit.

Që nga viti 2013, Komuna nuk ka arritur asnjëherë të organizojë zgjedhjet për 33 Bashkësitë Lokale.

Për këto vonesa, Ekzekutivi komunal arsyetohet me zgjedhjet e shpeshta, në të cilat ka kaluar vendi gjatë kësaj periudhe.

Nushi përmend shtatorin e këtij viti si mundësi për organizimin e këtyre zgjedhjeve, ndonëse ka dyshime se ato mund të mbahen.

Disa lagje të kryeqytetit nuk kanë Bashkësi Lokale. Banorët, shpesh janë ankuar se po kanë vështirësi t’i marrin shërbimet në lagje më të largëta.

Rregullorja e re parasheh që numri i Bashkësive Lokale të rritet në 42. Sipas nënkryetarit Nushi aty do të përfshihen edhe lagjet e reja të qytetit.

Ndërsa me rregulloren e re, kryetarët e ardhshëm do të kenë një pagë mujore simbolike prej 50 eurosh.

Monitoruesit e punës së komunës i shohin si të dëmshme vonesat në këtë proces.

INPO nuk pret që zgjedhjet e reja të organizohen në shtator.

Harmonizimi i rregullores me një udhëzim të ri administrativ nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, sipas organizatës, do t’i vonojë edhe më shumë zgjedhjet në këto bashkësi.

Nga totali prej 42 Bashkësive Lokale, 29 prej tyre janë në zonën urbane, ndërsa 13 në atë rurale.

Udhëzimi i ri administrativ nga MAPL-ja, lejon komunën t’i themelojë deri në 50 Bashkësi Lokale.