“Hortikultura” s’i pranon si të bazuara pretendimet e asamblistes së AAK-së

“Hortikultura” s’i pranon si të bazuara pretendimet e asamblistes së AAK-së

12 July 2019 08:46

Kompania “Hortikultura”, përmes një reagimi ka hedhur poshtë pretendimet e asamblistes së AAK-së, Fiknete Bejta, që e akuzoi këtë kompani për keqpërdorime.

Në reagimin e vet kjo kompani thotë se pretendimet e Bejtës nuk qëndrojnë, “për arsye se publikimi i këtij shkrimi nga zonja në fjalë nuk i referohet komplet përshkrimit të raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në raport por vetëm paragrafëve të caktuara”.

“Ne e sugjerojmë që t’i referohet komplet përshkrimit të raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit si p.sh. Raporti i Auditorit të Përgjithshëm të publikuar në web faqen e Zyrës Kombëtare të Auditmit faqe 15 Çështja B2”, thuhet në reagim.

“Po ashtu ju informojmë se në shkrimin tek pasuritë fikse sikurse të shkrimi në përgjithësi është i njëanshëm dhe tendencioz sepse edhe ky shkrim nuk i referohet në tërësi raportit Kombëtar të Auditimit ku vërehet qartë se mekanizimi i ofruar nga Komuna e Prishtinës për Hortikulturën është pasuri e Komunës së Prishtinës dhe jo i Hortikulturës Sh.a.”, thuhet më tej aty.

“Hortikultura” thotë se raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin e saj e cek se nga 19 rekomandimet e vitit 2017 janë plotësuar 13 kurse 6 janë në procedurë të zbatimit.

“Po ashtu ju informojmë që Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për ndërmarrjen Hortikultura për vitin 2018 thekson se pasqyrat vjetore financiare paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale dhe japin një opinion të kualifikuar. Në raportet e publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditmit për ndërmarrjet publike si të nivelit qendror po ashtu edhe në atë lokal Raporti i Auditmit të Hortikulturës është njëra ndër tre raportet me të mira të publikuara nga ZKA që i jep opinionin e kualifikuar”, thuhet në reagim.

Kujtojmë se në postimin e saj, asamblistja e AAK-së akuzon “Hortikulturën” për keqpërdorim, duke ftuar madje hetuesinë që të merret me këtë ndërmarrje.

Në një postim në rrjetin social Facebook, ajo ka shkruar se “mos regjistrimi i shpenzimeve sipas parimit aktual, procedurat e paplanifikuara të prokurimit, dhënia e honorarëve joligjore, blerjet pa procedura të prokurimit dhe mos regjistrimi i pasurive fikse janë disa prej shkeljeve që ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditorit gjatë auditimit të Ndërmarrjes Publike i” Hortikultura”.

“Sipas librit kryesor financiar për vitin 2018 kjo ndërmarrje ka dhënë avanse në vlerë 15,009 € dhe kjo përveç se është e pa bazë ligjore mund të ketë si rrezik mos kthimin e mjeteve në llogarinë e ndërmarrjes”, ka thënë Bejta.

“Gjatë testimit të shpenzimeve janë vërejtur se në fund të vitit 2018 janë regjistruar si shpenzime të sigurimit të automjeteve 826€ të cilat do duhej të regjistrohen si parapagime. Hortikultura në regjistrin e pasurive nuk i ka prezantuar të gjitha pasurit fikse, kështu në fund të vitit 2018 kjo ndërmarrje ka prezantuar vlerën neto prej 38,129€, ndërsa ato të marra vite me radhë si donacion nuk figurojnë në këtë regjistër”, ka thënë më tej ajo.

Gjithnjë sipas Bejtës, “gjatë testimit të 19 mostrave, në 12 ZKA ka gjetur se ndërmarrja nuk ka zhvilluar fare procedura të prokurimi dhe kjo formë ka ndikuar në favorizimin e një operatori të caktuar ekonomik duke dëmtuar konkurrencën e lirë dhe transparencën”.

“Pastaj gjatë ekzaminimit të auditimit janë identifikuar edhe dobësi në procesin e rekrutimit dhe në pagesat për mbledhjet e mbajtura nga bordi i drejtorëve të cilat nuk ishin në harmoni me ligjet në fuqi. Sipas ZKA-së pasqyrat finaniciare tregojnë për mosrealizim të buxhetit sipas planit të biznesit për shkak të mungesës së planifikimit dhe kontrollit sistematik të ecurive buxhetore nga ana e menaxhmentit”, ka thënë Bejta.

Një regjistër jo i plotë i pasurive, shpërfillja e procedurave të prokurimit publik, prezentim i gabuar i zërave të pasqyrave financiare dhe jo sipas SNK-ve dhe pa të gjitha informacionet e nevojshme, ndikon që pasqyrat financiare të mos jenë të sakta dhe të besueshme, shprehet më tej asamblistja Bejta.

“Këto informata për këto shkelje ligjore në një shtet ligjor do të mjaftonin që hetuesia e krimeve ekonomike të hetonte këto keqpërdorime”, ka thënë ajo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme