Asamblistja e AAK-së akuzon “Hortikulturën” për keqpërdorim, fton hetuesinë

Asamblistja e AAK-së akuzon “Hortikulturën” për keqpërdorim, fton hetuesinë

10 July 2019 11:26

Fiknete Bejta, këshilltare e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka shprehur bindjen se “Hortikultura” po vazhdon të keqpërdoret.

Në një postim në rrjetin social Facebook, ajo ka shkruar se “mos regjistrimi i shpenzimeve sipas parimit aktual, procedurat e paplanifikuara të prokurimit, dhënia e honorarëve joligjore, blerjet pa procedura të prokurimit dhe mos regjistrimi i pasurive fikse janë disa prej shkeljeve që ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditorit gjatë auditimit të Ndërmarrjes Publike i” Hortikultura”.

“Sipas librit kryesor financiar për vitin 2018 kjo ndërmarrje ka dhënë avanse në vlerë 15,009 € dhe kjo përveç se është e pa bazë ligjore mund të ketë si rrezik mos kthimin e mjeteve në llogarinë e ndërmarrjes”, ka thënë Bejta.

“Gjatë testimit të shpenzimeve janë vërejtur se në fund të vitit 2018 janë regjistruar si shpenzime të sigurimit të automjeteve 826€ të cilat do duhej të regjistrohen si parapagime. Hortikultura në regjistrin e pasurive nuk i ka prezantuar të gjitha pasurit fikse, kështu në fund të vitit 2018 kjo ndërmarrje ka prezantuar vlerën neto prej 38,129€, ndërsa ato të marra vite me radhë si donacion nuk figurojnë në këtë regjistër”, ka thënë më tej ajo.

Gjithnjë sipas Bejtës, “gjatë testimit të 19 mostrave, në 12 ZKA ka gjetur se ndërmarrja nuk ka zhvilluar fare procedura të prokurimi dhe kjo formë ka ndikuar në favorizimin e një operatori të caktuar ekonomik duke dëmtuar konkurrencën e lirë dhe transparencën”.

“Pastaj gjatë ekzaminimit të auditimit janë identifikuar edhe dobësi në procesin e rekrutimit dhe në pagesat për mbledhjet e mbajtura nga bordi i drejtorëve të cilat nuk ishin në harmoni me ligjet në fuqi. Sipas ZKA-së pasqyrat finaniciare tregojnë për mosrealizim të buxhetit sipas planit të biznesit për shkak të mungesës së planifikimit dhe kontrollit sistematik të ecurive buxhetore nga ana e menaxhmentit”, ka thënë Bejta.

Një regjistër jo i plotë i pasurive, shpërfillja e procedurave të prokurimit publik, prezentim i gabuar i zërave të pasqyrave financiare dhe jo sipas SNK-ve dhe pa të gjitha informacionet e nevojshme, ndikon që pasqyrat financiare të mos jenë të sakta dhe të besueshme, shprehet më tej asamblistja Bejta.

“Këto informata për këto shkelje ligjore në një shtet ligjor do të mjaftonin që hetuesia e krimeve ekonomike të hetonte këto keqpërdorime”, ka thënë ajo.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme