Arbëri

Qytetarët thonë se ngritja e çmimeve në Prishtinë është e padrejtë

Një numër biznesesh në Prishtinë, kanë nisur t’i rrisin çmimet e produkteve që shërbejnë, raporton KTV.

Përveç produkteve bazë, çmimet janë rritur edhe në restorante dhe kafene.

Nëse para pak ditësh, një sanduiç i thjeshtë kushtonte 2 euro, tani çmimi i tij është ngritur në 2 euro e 40 centë.

Ndryshime të çmimeve shihen edhe te kafet. Nga 80 centë, tani, për një expresso duhet paguar 1 euro, ndërsa makiatoja ka nisur të shitet me një çmim prej 1 euro e 20 centësh.

Shtrenjtimi i çmimeve, nga qytetarët po konsiderohet si i padrejtë dhe rëndim i gjendjes së tyre financiare.

Derisa shumica e lokaleve i kanë rritur çmimet, Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës thotë se nuk ka marrëveshje për ngritje të çmimeve.
 

Megjithatë, Kllokoqi arsyeton ngritjen e çmimeve me faktin se është shtrenjtuar materiali i lëndës së parë.

Disa punonjës së këtyre bizneseve kanë treguar, në kushte anonimiteti për KTV-në, se pronarët e kanë arsyetuar ngritjen e çmimeve duke thënë se këtë po e bëjnë për t’u siguruar atyre pagë më të lartë.

Mirëpo, një gjë të tillë e quan të padrejtë njohësi i Ekonomisë, Musa Limani.

Limani ka kërkuar nga institucionet që të hetojnë nëse ka bazë për ngritjen e çmimeve, apo ato janë ngritur sipas dëshirës së bizneseve.

Kohavisioni ka pyetur Autoritetin Kosovar të Konkurrencës nëse do të ndërmarrë ndonjë veprim për ta vlerësuar ngritjen e çmimeve, por ky institucion publik nuk ka kthyer përgjigje.