Arbëri

Hapet qendra e tretë e qëndrimit ditor për të moshuarit në Prishtinë

Descriptive Text

Në lagjen Pejton sot është bërë hapja e qendrës së tretë të qëndrimit ditor për të moshuarit, e cila është bërë nga Komuna e Prishtinës.

Me rastin e përurimit të qendrës, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmet, tha se do të vazhdojnë të hapin qendra tjera të tilla për të moshuarit.

“Kjo është qendra e tretë e qëndrimit ditor për të moshuarit ku mund të vijnë të kalojnë kohën këtu në një ambient të këndshëm me kafe, çaj, shah. Siç i kemi hapur një në Tophane, një tek restorant Rugova, kjo është e treta dhe vazhdojmë të hapim edhe tutje të katërtën ndoshta pastaj edhe të pestën për vitin e ardhshëm, që të jetë në çdo lagje mundësi për pensionistët të kalojnë kohë jashtë shtëpive të tyre me shoqëri”, tha ai.

Ahmeti tha se këto qendra janë shumë të nevojshme pasi ofrojnë një hapësirë komode ku të moshuarit mund të kalojnë kohën e lirë.

Përveç këtyre qendrave, ai ka paralajmëruar se do të shikojnë mundësinë për të krijuar edhe qendra rinore.

“Nga vizitat që i kemi bërë në Tophane, në restorant Rugova tregon se ka tepër nevojë, atje i kemi edhe dy kuzhina statike ku në mbrëmje mund të shërbejmë ushqim të nxehtë falas për të gjithë ata që kanë nevojë. Do të shohin edhe në të ardhmen që të zgjerojmë edhe në pjesë të tjera. Tash po e shohim që ka nevojë edhe për qendra rinore, pra ku rinia të kalojë kohë, qoftë të ushtrojnë bendet e ndryshme, qoftë të merren me muzikë, qoftë debate. Pra, ka nevojë për hapësira të tilla”, tha Ahmeti.

Hapjes së kësaj qendre më së shumti i janë gëzuar pensionistët. Basri Biqku thotë se kjo qendër është shumë e mirë për ata pasi kanë se ku të kalojnë kohën e lirë.

“Po i bënë disa punë të mira dhe kjo shumë e mirë është për neve, sidomos për neve pensionistët shumë mirë është...është mirë me dal me kalua kohën, shah po, çaj pa pare”, tha ai.

Qendra e qëndrimit ditor për të moshuar që është përuruar sot është e treta që është bërë nga Komuna e Prishtinës./ksp/