Arbëri

Na ishin dikur fontanat në Prishtinë

Nuk është se Prishtina ka numër të madh fontanash, por edhe ato pak që janë, janë thuajse të gjitha jashtë përdorimit.

Disa prej tyre të shkatërruara, disa s’punojnë fare, e ndonjë ka mbetur aty vetëm sa për hijeshi.

Koha.net ka realizuar fotografi të disa prej këtyre fontanave që janë më në qendër të Prishtinës dhe jo funksionale.

Ndonëse është paraparë qysh prej fillimit kur ato nisën të ndërtoheshin, se do të jenë atraktive edhe për qytetarët, kjo del të jetë e kundërta pasi kohën më të madhe tash s’punojnë fare. Madje, edhe fontana më e bukur në sheshin “Skëndërbeu”, shpesh është jashtë funksionit.

Koha.net ka kontaktuar Habib Qorrin nga Drejtoria e Shërbimeve Publike të Komunës së Prishtinës, i cili ndonëse në qytet fontanat nuk funksionojnë, thotë se Komuna ka mirëmbajtje të rregullt të tyre, por me të nisur stina e pranverës nisin renovimin.

“Në kuadër të këtyre punimeve kemi renovuar fontanën te Komuna e vjetër, Ibrahim Rugova, Nënë Tereza, Zahir Pajaziti, Bill Clinton, Mis Edit Durham, Kroi i Bardhë, Fontana në Ulpianë, te Teatri. Në qendrën e qytetit fontanat janë funksionale, por mund të ketë ndërprerje të kohëpaskohshme për shkak të sistemit për sigurinë e pompave, pastrimin e rezervuareve të ujit, apo ndonjë defekt tjeter i mundshëm”, tha Qorri, ndonëse portali ka ditë të tëra që ka realizuar fotografitë e mëposhtme, dhe fontanat e njëjta deri sot asnjë ditë s’kanë qenë funksionale.

Qorri ka treguar se nga Komuna e Prishtinës janë ndërtuar 9 fontana nëpër lokacione të ndryshme.

Kujtojmë se Komuna e Prishtinës ka kontratë 3 vjeçare për mirëmbajtje e këtyre fontanave, që kap vlerën prej 70 mijë euro.

“Për mirëmbajtjen e fontanave komuna ka të kontraktuar kompaninë Niti-N, kontratë kornizë tri vjeçare, që do të thotë se ky vit është viti i dytë i realizimit, ku përfshihen mirëmbajtja e fontanave, krojeve publike, monumenteve dhe shtatoreve. Mirëmbajtja bëhet nën menaxhimin e zyrtarëve të Drejtorisë dhe të gjitha punët nga operatori kryhen sipas kontratës dhe nevojës për intervenime në pozicionet e planifikuara”, përfundoi Qorri.

{gallery}