Arbëri

Hapet pishina e Gërmisë

Foto: Koha / ilustrim

Sot është bërë hapja zyrtare e pishinës së Gërmisë. Qytetarët që sot e kanë vizituar këtë pishinë kanë thënë se kushtet janë të mira.

Tashmë për çdo ditë pishina do të jetë e hapur për vizitorë nga ora 10:00 deri në orën 18:00.

Gjatë ditëve të javës të rriturit duhet të paguajnë 2 euro hyrje, ndërsa fëmijët 1 euro. Kurse, ditëve të vikendit të rriturit duhet të paguajnë 3 euro për hyrjen në pishinë. Pishina e gërmisë ofron edhe biletë mujore, ku çmimi i saj është 30 euro. Fëmijët nën 7 vjet nuk paguajnë për të hyrë në pishinë.

Kryeshefja ekzekutive e ndërmarrjes publike “Sport Marketing”, Mirlinda Sopi Krasniqi, për KosovaPress ka bërë të ditur se të gjitha përgatitjet për fillimin e sezonit janë bërë.

“Sot zyrtarisht pishina e Gërmisë ka nisur sezonin veror 2019, të gjitha përgatitjet në muajin prill dhe maj ashtu siç e do tradita dhe si e ka në zakon pishina e Gërmisë janë bërë. Janë angazhuar punëtorët, shpëtimtarët, të gjithë personat e nevojshëm që qytetarëve t’iu urojmë një mirëseardhje për sot për ditën e parë, po edhe për të gjithë sezonin do t’iu sigurojmë një pushim të rehatshëm dhe pushime të këndshme. Pishina e Gërmisë ka ditur dhe ka treguar ndër vite që është njëra ndër pishinat më nivelin e pastërtisë më të lartë në Kosovë, andaj edhe këtë vit ne zotohemi se do t’i sigurojmë të gjithë qytetarëve kushtet më të mira”, tha ajo.

Ajo ka treguar se në kuadër të kujdesit për pushuesit këtë vit kanë angazhuar 10 shpëtimtarë, që sipas saj janë të mjaftueshëm.

“Gjithmonë angazhohen shpëtimtarë të mjaftueshëm të cilët janë të pozicionuar nëpër kënde të ndryshme të pishinës dhe sivjet i kemi 10 shpëtimtarë, deri në 14 mund të shkojë numri i tyre. Është numër i mjaftueshëm, ka treguar përvoja që është numër i mjaftueshëm që të sigurojmë qytetarëve një pushim të qetë, sidomos tek pjesa e fëmijëve ku e kemi kujdesin më të madh, sepse ata janë e ardhmja jonë”, tha ajo.

Duke qenë se sot ishte dita e parë e hapjes, pishina e Gërmisë pati mjaftë vizitorë.

Në kuadër të pishinës së gërmisë, gjendet edhe ambulanca që ofron shërbime në rast nevoje. Ndërsa, këtë vit ofron edhe shkollën e notit, ku çmimi për 6 ditë është 20 euro, kurse për 12 ditë është 30 euro.