Arti që shëron Yllkën Foto: Driton Paçarada / Koha

Arti që shëron Yllkën

Drenushë Maxhuni Drenushë Maxhuni 26 May 2019 09:27

Ndërsa kishte përfunduar skicën, Yllka Leti tash po mbante në dorë një gotë të mbushur me ngjyrë rozë, me të cilën plotësonte një pjesë të “mozaikut” në pikturën që ishte porositur nga një qytetar.

Tavolina e vendosur në korridorin e apartamentit, ku jeton 13-vjeçarja nga Prishtina, nuk ishte e destinuar për aktivitet arti. Por e kishte një të mirë, shkruan sot “Koha Ditore”. Duke qenë e madhe, po i zinte të gjitha materialet me të cilat ajo po krijonte veprat, që për të nuk përfaqësonin vetëm art.

Krijimtaria e saj në të vërtetë është kombinim i dëshirës e pasionit, por edhe betejës, që nëpërmjet shitjes së veprave të përballojë vështirësitë financiare që i janë shfaqur familjes për shkak të sëmundjes nga e cila vuan ajo që prej lindjes.

“Shitja e këtyre pikturave po më ndihmon që t’i mbuloj shpenzimet e mia. Ka shumë piktura që i kam bërë, secila prej tyre e ka domethënien e vet. Unë jam në shkollën ‘Dardania’. Tash edhe shokët e shoqet po i pëlqejnë punimet e mia”, tregon ajo për gazetën.

Ka disa muaj që e reja nga Prishtina punon pikturat shumëngjyrëshe në atë që njihet si “art me pika”. Pasionin që kishte për vizatimin e ka ngritur në nivel të afirmimit në publik, deri aty sa ajo tash nuk ia del mbanë të përmbushë kërkesat e të interesuarve për blerjen e tyre. Një arsye shtesë është se disa nga qytetarët duan që nëpërmjet blerjes së punimeve të saj indirekt ta ndihmojnë atë në sigurimin e mjeteve financiare për terapinë, që në muaj mbërrin në afro 2 mijë euro.

Yllka Leti vuan nga fibroza cistike, por angazhimi në shkollë dhe në krijimtari artistike kanë bërë që ajo të mos vuajë më presionin e sëmundjes. Madje, më shumë se për problemet shëndetësore ajo tash flet me shumë qejf për artin dhe të ardhmen. Thotë se i pëlqejnë lulet. Ato edhe i përdor shumë në krijimtari.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme