Arbëri

LDK-ja e kritikon “Stacionin e Autobusëve” për luks, kjo e mohon

Që nga muaji shkurt ndërmarrja “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë ka një kryeshef të ri.

Nga ajo kohë, nën udhëheqjen e Luan Hotit janë shpallur një numër tenderësh, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Disa prej tyre, ndërmarrja i ka shpallur për t’u furnizuar me pajisje të nevojshme për zyrë, si tavolinë, monitor e projektor.

Këto shpenzime, LDK-ja që është në opozitë, po i konsideron si luksoze.

Mirëpo, deklaratat e Agim Gashit, asamblistit të LDK-së, i ka mohuar kryeshefi i ndërmarrjes, Luan Hoti. Ai ka thënë se këto pajisje nuk janë luksoze, por të domosdoshme për të punuar.

Këshilltari komunal, Gashi, ka theksuar se ndërmarrja duhet të ndjekë politika që i kontribuojnë zhvillimit të Stacionit të Autobusëve.

Sipas tij, komisioni i aksionarëve nuk i ka raportuar Kuvendit Komunal për gjendjen e ndërmarrjes.

Në anën tjetër, kryeshefi Hoti ka thënë se e ka gjetur ndërmarrjen të mbushur me militantë partiakë dhe në gjendje të rëndë financiare.

Ai ka shtuar se për këtë situatë duhet të flasin LDK-ja dhe PDK-ja.

Udhëtarët kërkojnë investime në hapësirat e stacionit të autobusëve.

Kryeshefi Hoti ka thënë se nuk kanë mundësi që të bëjnë investime të mëdha, për shkak të buxhetit të limituar të ndërmarrjes.