VV kërkon dorëheqjen e Ahmetit pas rrëshqitjeve të dheut Foto: Driton Paçarada / Koha

VV kërkon dorëheqjen e Ahmetit pas rrëshqitjeve të dheut

13 May 2019 18:29

Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Prishtinë, ka thënë se Shpend Ahmeti, kryetar i kryeqytetit duhet të japë dorëheqje pasi, sipas kësaj partie, ai po rrezikon jetën e qytetarëve.

Pas rrëshqitjes së dheut të hënën në lagjen e Muhaxhirëve dhe hedhjes së fajit herë te Ujësjellësi e herë te komuna, Vetëvendosje ka thënë se lihen dyshime se ndërtimet po zhvillohen jashtë standardeve dhe s’po respektohen lejet e dhëna.

“Sot, vizituam vendin ku paradite për shkak të rrëshqitjeve të dheut është rrezikuar jeta e një numri të qytetarëve të kësaj pjese, dhe nxënësve të cilët vijojnë mësimin në shkollën Naim Frashëri. Rrëshqitja e dheut ka ardhur si pasojë e punimeve që po zhvillohen në këtë objekt. Komuna e Prishtinës u mundua që fajin ta hedhë te shpërthimi i një gypi të ujësjellësit. Kjo u demantua nga KRU-Prishtina të cilët pas analizës së marrë nga tereni konstatuan se, po citoj, ‘ekzekutimi I punëve në gropën ndërtimore të objektit poshtë rrugicës, është bërë në mënyrë joprofesionale, jashtë standardeve për ndërtim dhe mbrojtje të gropës ndërtimore’”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Vetëvendosje ka thënë se ky s’është rasti i parë i ngjashëm ditëve të fundit. Sipas kësaj partie, ka degradim të qeverisjes komunale në fushën e ndërtimeve, si dhe me mënyrën si po lëshohen lejet por edhe po tolerohen ndërtimet pa leje.

“Para disa ditësh vetë kryetari i Komunës së Prishtinës deklaroi që nuk mund t’i ndalë ndërtimet e egra, sepse ose e vrasin ose e fusin në burg, e ndërkohë në Prishtinë po vazhdojnë ndërtimet pa leje, e nuk po mbikëqyrën ato me leje. Përderisa rastet e fundit ku është rrezikuar jeta e qytetarëve nga ndërtimet kanë të bëjnë kryesisht me rrëshqitje të dheut, kjo lë hapësirë për dyshim që gjithë ndërtimet po zhvillohen jashtë standardeve dhe duke mos i respektuar lejet e dhëna, duke u bërë rrezik i vazhdueshëm për qytetarët. Deklaratat e Kryetarit të Komunës, ku si zakonisht mundohen t’ua hedhë fajin tjerëve, janë alibi për mospunën dhe dembelinë e tij dhe në asnjë rast nuk e arsyetojnë çkad o që rrezikon qytetarët nga ky degradim i qeverisjes komunale”, thuhet më tej në njoftim.

Në fund duke e quajtur dembel e frikacak, Vetëvendosje ka kërkuar dorëheqjen e Ahmetit që mori këtë detyrë sa ishte pjesë e kësaj partie.

“Ky kryetar dembel e frikacak, i cili thotë se i rrezikohet jeta e tij, po rrezikon jetët e qytetarëve të Prishtinës. Që të shpëtojë jetën e tij dhe të qytetarëve, Shpend Ahmeti ka një zgjidhje të lehtë: DORËHEQJEN!”, përfundon reagimi i VV-së.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme