Arbëri

Tregtarët nuk u besojnë më premtimeve të Komunës, Ahmeti thotë se shpejt tregjet modernizohen

Në këtë gjendje ka mbetur tash e 30 vjet, Tregu i gjelbër në Prishtinë. Muajin e kaluar, Kuvendi Komunal i Prishtinës ia dha dritën e gjelbër kryetarit Shpend Ahmeti t’i nisë procedurat që ndërmarrja shoqërore “Tregu” të kalojë nga AKP-ja nën petkun e Komunës së Prishtinës.

Por, tregtarët thonë se janë të zhgënjyer me mosrealizimin e premtimeve të pushtetarëve komunalë, raporton KTV.

Sipas tyre, që nga viti 2014, është premtuar se do të zhvendosen në hapësirën ku ndodhet AKP-ja, por kjo ende nuk ka ndodhur.

Enver Gashi thotë se, ndonëse paguan për shitje të produkteve, gjendja në treg nuk është në nivelin e duhur.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se pas miratimit të iniciativës së tij nga Kuvendi Komunal , do t’i dërgojë letër Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë, që të nisin procedurat për kalim të ndërmarrjes nga AKP-ja, nën petkun e Komunës së Prishtinës.

“Është më mirë ta transferojmë ndërmarrjen, sesa ta krijojmë një të re. Ne po i rindërtojmë dy tregje të mëdha në Prishtinë, të Gjelbrin dhe atë në Ulpianë. Tashmë ka dalë konkursi arkitektonik për tregun në Ulpianë dhe së shpejti e njëjta do të ndodhë edhe me Tregun e gjelbër”, kishte shkruar Ahmeti.

E, aktualisht, tregtarët thonë se e pastrojnë vetë tregun, në mungesë të kujdesit adekuat.