Arbëri

20 vjet pas luftës dhe 11 vjet pas pavarësisë, kryeqyteti arrin të ketë linjë të autobusit për në aeroport

Linja e autobusit Prishtinë - aeroport dhe anasjelltas, e premtuar prej vitesh, është lëshuar për qarkullim.

Nga kjo e mërkurë, linja e rregullt e transportit publik me numrin 1A do të qarkullojë çdo orë, duke filluar nga ora 03:00 e mëngjesit.

Ndërsa, çmimi i biletës do të jetë 3 euro. Njëri prej udhëtarëve të parë nga Stacioni i Autobusëve, ishte një ukrainas, raporton KTV.

“Erdha me autobus nga Prizreni dhe pashë nga dritarja se aty ishte një autobus me një simbol të aeroportit. Nuk doja të merrja një taksi, por doja të shkoja me autobus”, Andri Bezrodnyi, udhëtar nga Ukraina.

Përurimin e linjës e kanë bërë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe zëvendësministri i Transportit, Rexhep Kadriu.

Të dy e kanë vlerësuar si absurde mosekzistimin e kësaj linje deri më tani, derisa fajin ua kanë lënë mungesës së vullnetit politik dhe pengesave të tjera.

Mërgimtarët që të mërkurën erdhën në vendlindje, kanë mirëpritur nisjen e qarkullimit të autobusëve.

Mirëpo, kundër linjës janë taksistët, të cilët thonë se dëmtohen nga operimi i dy autobusëve.

Komuna ka paralajmëruar se do ta shqyrtojë mundësinë e uljes së çmimit të biletës, varësisht gjendjes financiare të “Trafikut Urban”.

Autobusi i kësaj linje niset nga Stacioni i Autobusëve në kryeqytet, i cili hyn në qendër për t’i mbledhur udhëtarët në rrugën “Xhorxh Bush” dhe “Garibaldi”.

Më pas, pa ndonjë ndalesë tjetër, vazhdon për në aeroport.