Ahmeti: Opozita po trillon, puna s’matet me numrin e drejtorive

Ahmeti: Opozita po trillon, puna s’matet me numrin e drejtorive

21 April 2019 12:14

Ka marrë katër vjet mandat për udhëheqjen e Komunës së Prishtinës. Por i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, po vazhdon të akuzohet e kritikohet nga opozita për mosmarrjen e përgjegjësisë së tij dhe mos përfilljen e kompetencave që ai ka me Komunën e Prishtinës.

Një gjë të tillë e ka mohuar Ahmeti për Ekonomia Online. Ai tha se opozita po mundohet të trillojë, madje sipas tij, komuna që ai e udhëheqë po shkon drejtë realizimit të 100 premtimeve të dhëna nga vetë kryetari Ahmeti.

“Opozitën e kisha sugjeruar me ardh më shpesh në Komunë se nganjëherë në muaj vijnë në mbledhje të kuvendit dhe po mundohen të trillojnë gjëra. Të gjithë ata që janë me mua e dinë që unë për çdo ditë jam në komunë pasi nuk kam punë tjetër, prandaj këtë vit është një dinamikë më e madhe e punëve. Ne po shkojmë edhe drejtë realizimit të 100 premtimeve, veç këta 3 muaj prej 120 projekteve që i kem, mbi 60 për qind prej tyre janë veç në proces të prokurimit. Këtë vit pritet një angazhim i shtuar e i sugjeroj dhe derën e ka hapur secili asamblist e kryetarë të këtyre partive opozitare i pres në komunë dhe për çdo ditë në zyre jam”, ka thënë Ahmeti.

Një tjetër kritikë që iu është bërë komunës së Prishtinës nga vetë opozita, është rritja e Administratës, apo rritja e drejtorive. Këto shqetësime të opozitës, Ahmeti i quan deklarata të kota, pasi sipas tij, puna nuk matet me numrin e drejtorive.

“Lëvizja Vetëvendosje, ka qenë me mua në qeveri dhe si nuk ishin drejtoritë shumë kur ishin ata në koalicion e tash kur nuk janë po iu duken shumë. Nëse ka thënë edhe Lidhja Demokratike, të i shohim komunat e tyre, ke komunë 10 fish më të vogël se Prishtina e që i ka 13 drejtori, kjo është kot pasi nuk matet puna me numrin e drejtorive sepse në fund ne jemi duke folur për 600 punëtorë administrativ dhe 4000 mijë punëtorë në shëndetësi e arsim. Pra, ky është numri i punëtorëve dhe nuk e kemi shtu numrin e punëtorëve, por për organizimin e mirë të punëve i kemi nda drejtoritë ashtu siç i kanë kompetencat”, tha Ahmeti.

Kreu i Prishtinës njoftoi se Partia Socialdemokrate, së shpejti do fillojë tubimet me qytetarët e lagjeve në kryeqytet.

“Tash i fillojmë edhe tubimet me qytetarë në lagje të ndryshme dhe vazhdimisht do punojmë pasi që unë jam kryetar komune dhe kam mandat deri në 2021, i kam dhënë premtimet dhe do ti realizoj”, shtoi Ahmeti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Asdren22/04/2019 14:10

A jeton ne Prishtine o mistrec, a se shef cka i ke bo a?

Shto koment

Të ngjashme