Çiftet e reja nuk preferojnë të mbjellin fidanë në “Parkun e të martuarve” në Prishtinë

Mehmet Krasniqi Mehmet Krasniqi 19 April 2019 22:21

Një mijë e treqind e tridhjetë e pesë çifte kanë lidhur kurorë në Komunën e Prishtinës vitin e kaluar.

Gjatë 2017-s në lagjen “Veternik” ishte inauguruar “Parku i të martuarve”.

Ideja kishte qenë që çiftet që lidhin kurorë, të mbjellin nga një fidan, si kontribut në ambientin e komunës, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Në ditën e inaugurimit, disa çifte kishin mbjellë nga një fidan. Mirëpo, nga ajo kohë Komuna nuk ka treguar sa fidanë janë mbjellë.

KTV-ja ka mësuar jozyrtarisht nga punëtorët e ofiqarisë se që nga ajo kohë asnjë çift që është kurorëzuar, nuk ka aplikuar për mbjellje të drunjve.

Në anën tjetër, për ta ulur nivelin e ndotjes së ajrit, këtë vit komuna ka nisur mbjelljen e pesë mijë fidanëve.

E për ta zbutur këtë gjendje, ajo po synon që në Ditën e Tokës të mbjellë edhe dy mijë e dyqind fidanë shtesë.

22 Prilli do të shënohet me disa aktivitete përmes iniciativës “Bëhu mik i Tokës”.

Qytetarët mirëpresin shtimin e numrit të fidanëve, derisa disa prej tyre deklarohen të gatshëm të ndihmojnë edhe për mbjelljen.

Vitin e kaluar, në Ditën e Tokës janë mbjellë rreth 750 drunj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme