Kërkohet largimi i qenve nga kampusi universitar në Prishtinë

Kërkohet largimi i qenve nga kampusi universitar në Prishtinë

14 April 2019 21:28

Organizata Paqja Studentore e Universitetit të Prishtinës ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të marrë masa ndaj qenve endacakë dhe t’i largojë nga hapësirat e universitetit.

Sipas një njoftimi, kjo organizatë ka thënë se është shqetësuar për rastin e studentit Valdrin Januzi që ishte sulmuar nga qentë ditë më parë.

“Rrezikimi i jetës së studentëve nga qentë në hapësirat e Universitetit të Prishtinës është problem i kahmotshëm dhe fatkeqësisht Valdrini nuk do të jetë studenti i fundit i lënduar, deri sa ky problem të mos zgjidhet. Andaj, PS-UP kërkon urgjentisht nga Komuna e Prishtinës që të marrë masa ndaj qenve dhe t’i largojë ata nga hapësirat e universitetit, në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e studentëve”, thuhet në njoftim.

PS-UP ka thënë se ka kërkuar nga Rektorati që të bëjë rrethimin për të shmangur probleme të tilla, por ka shtuar se kërkesa s’ishte marrë para sysh.

“Duke vëzhguar këtë fenomen tash e një kohë të gjatë, PS-UP kërkon nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës rrethimin e Kampusit Universitar, për t’u shmangur probleme të tilla. Me këtë kërkesë organizata vitin e kaluar i ishte drejtuar Parlamentit Studentor, por një gjë e tillë nuk është marrë parasysh. Kështu që, Universiteti i Prishtinës së bashku me Komunën e Prishtinës, ftohen që të reflektojnë dhe të largojnë këtë rrezik që po i kanoset studentëve dhe qytetarëve të tjerë”, thuhet më tej në njoftim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme