Arbëri

Vazhdon kundërmimi nga ujërat e zeza në Prishtinë për shkak të kanalizimeve të hapura

Kundërmimi i ujërave të zeza vazhdon të ndihet në Prishtinë, si pasojë e kanalizimeve të hapura.

Banorët e lagjes “Kalabria” detyrohen të jetojnë me kundërmimin e vazhdueshëm nga kolektori që ende nuk është mbyllur.

Komuna vazhdimisht është arsyetuar se problemet me shpronësimin po mbajnë peng vazhdimin e punimeve për mbylljen e kolektorit.

Në anën tjetër, Kuvendi Komunal ka miratuar nisjen e hartimit të planit rregullues për këtë lagje, i cili sipas komunarëve, do ta zgjidhë problemin e kolektorit, raporton “038” i KTV-së.

Megjithatë, nuk dihet se kur do të përfundojë ky proces.

Aroma e rëndë po ua bën jetën të vështirë edhe banorëve e lagjes “Mat”

Vitin e kaluar, për shkak të reshjeve, lumi “Mat” doli nga shtrati dhe vërshoi hapësirat rreth tij.

Ndërsa, pak kohë më parë uji vërshoi edhe bizneset dhe objektet private, duke shkaktuar dëme.

Me kanalizimin e hapur përballen edhe banorët e Hajvalisë, të cilët thonë se rrezikohen nga ndonjë epidemi.

Banorët kërkojnë që sa më parë, komuna ta zgjidhë këtë problem.

Komunarët nuk u janë përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve të televizionit për këtë çështje.