Arbëri

Punëtorët e stadiumit “Fadil Vokrri” tash 9 muaj s’kanë marrë paga

Në stadiumin “Fadil Vokrri”, Kombëtarja e Kosovës në futboll dhuroi spektakël kundër Danimarkës dhe Bullgarisë.

Për t’i parë nga afër këto paraqitje, çmimi i biletave nisi nga 5 dhe shkoi deri në 80 euro, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Stadiumi “Fadil Vokrri” ka 13 mijë e 500 ulëse.

Mirëpo, punëtorët që mirëmbajnë këtë hapësire sportive, vazhdojnë të mos marrin pagë të rregullt.

Për nëntë muaj, Federata e Futbollit i ka paguar ata vetëm me mëditje kur Kombëtarja ka pasur ndeshje. Derisa, njëjtë vepron edhe klubi i Prishtinës.

Për të mos rrezikuar ndeshjet ndërkombëtare, FFK-ja thotë se punëtorëve do t’u sigurojë një pagë minimale për 6 muaj.

Komuna e Prishtinës, e cila bashkë me FFK-në e ka nën menaxhim stadiumin, thotë se nuk po mund t’u bëjë zgjidhje afatgjate punëtorëve pasi stadiumi ende nuk është pranuar teknikisht.

Për këtë, sipas Fitim Rexhës, Drejtor i Sportit në Komunën e Prishtinës, pritet që Ministria e Sportit të kompletojë dokumentacionin deri në fund të këtij muaji, i cili pastaj do t’i dorëzohet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.