Arbëri

Berisha optimist se projektet në Prishtinë do ta bëjnë 2019-ën vit të Shpend Ahmetit

Adrian Berisha, këshilltar dhe asamblist i PSD-së në Komunën e Prishtinës, ka thënë për emisionin 038 në KTV, se projektet që do të realizohen këtë vit do ta bëjnë 2019-ën vit të Shpend Ahmetit.

“Tregu i ri i qytetit, Plani i Mobilitetit, shtigjet e biçikletave, janë vetëm disa nga projektet që do ta bëjnë 2019-ën ndër vitet më të mira të Shpend Ahmetit. Komuna e Prishtinës ka krijuar disa grupe punuese dhe besoj që ky do të jetë një nga vitet më të mira”, ka thënë ai.

Berisha ndër të tjera ka mbështetur idenë e shndërrimit të objektit të ish-Gërmisë në Sallë Koncertale.

“Është një luftë në mes të shoqërisë civile dhe Komunës së Prishtinës. Opsioni më i mirë për sallën koncertale është objekti i ish-Gërmisë. Shpresoj që do ta nisim sallën koncertale sepse jemi i vetmi kryeqytet në Evropë pa këtë sallë. Nuk duhet të rrënohet i tëri ky objekt, sepse janë dy shtylla që shoqëria civile thërret për mbrojtje, e që janë fasada e jashtme dhe lifti i brendshëm i cili nuk është funksional”, është shprehur ai, raporton Koha.net.

Ai tutje ka folur edhe për subvencionet e Drejtorisë së Kulturës për mbështetje të projekteve kulturore nga Komuna e Prishtinës, me buxhet prej 415 mijë eurove.

“415 mijë euro janë ndarë për subvencione nga Drejtoria e Kulturës dhe kanë të drejtë të aplikojnë të gjithë qytetarët e Kosovës. Unë kisha bërë thirrje që të gjithë të aplikojnë në projektet e muajit qershor pasi këtë vit shënohet edhe 20-vjetori i çlirimit të Prishtinës”, ka thënë ai, duke theksuar se besojnë që këtë vit nuk do të kenë probleme me vonesa në prokurim.

Berisha ka folur edhe për aktivitetet e tij jashtë obligimeve si asamblist duke bërë publike pagën e tij prej 192 euro, derisa ka thënë se aktivitetet tjera i bën vullnetarisht.