Drutë e konfiskuara ndeshin Komunën e Prishtinës me Agjencinë e Pyjeve

Drutë e konfiskuara ndeshin Komunën e Prishtinës me Agjencinë e Pyjeve

Salie Gajtani Osmankaq Salie Gajtani Osmankaq 19 March 2019 09:21

Inspektorati Pyjor, që funksionon në kuadër të Agjencisë Pyjore të Kosovës, ka paralajmëruar Komunën e Prishtinës se do të ballafaqohet me Ligjin, për shkak se ka kryer vepër kundërvajtëse, pasi që drutë e konfiskuara ua ka dhuruar familjeve skamnore.

Para pak ditësh, Komuna e Prishtinës u ka ndarë 67 familjeve, që i ka paraqitur si skamnore, rreth 200 metra drunj, të cilat ishin konfiskuar më herët nga prerësit ilegalë të pyjeve.

Adonis Tahiri, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, ka thënë për “Kohën Ditore” se drutë e konfiskuara janë shpërndarë për familjet që jetojnë në kushte të rënda. Por ai nuk ka komentuar kontestimin, nëse Komuna ka të drejtë ligjore ta bëjë këtë gjë. Ai ka zgjedhur që të anashkalojë pyetjet e gazetës në lidhje me bazën ligjore, porse ka konfirmuar se janë ndihmuar nga Komuna familjet skamnore.

“Drunjtë kanë qenë të lënë në parkun e Gërmisë, dhe në total, përfshirë edhe konfiskimet e mëhershme, kanë qenë rreth 200 metër kub. Ne, bashkë me kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti, dhe drejtorin e Mirëqenies Sociale, kemi shpërndarë ata drunj në 67 familje me kushte të rënda sociale”, ka thënë Tahiri për gazetën.

Sipas tij, në vitin 2018 Komuna ka konfiskuar nga prerësit ilegalë të pyjeve 82.5 metër kub dru, kurse në dy muajt e parë të këtij viti 11.89 metra kub të tjera.

Por Besim Zogu, drejtor i Inspektoratit Pyjor në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës ka thënë se Ligji parasheh që masa drunore nuk guxon të falet nga Komuna, por ajo duhet të vihet në ankand për t’u shitur. Prandaj, Komuna e Prishtinës në këtë rast ka kryer vepër kundërvajtëse dhe do të përballet me Ligjin për këtë veprim, ka thënë Zogu.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme