Arbëri

Punëtorët teknikë në 8 shkolla të Prishtinës sot grevë tërëditore, duan rritje të pagës

Hapësirat brenda objekteve të Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe disa shkollave në Prishtinë, të martën kanë mbetur pa u pastruar.

Për shkak të pakënaqësisë me pagat, punëtorët teknikë vendosën të mbajnë grevë tërëditore, raporton KTV.

Përveç rritjes së pagës që aktualisht e marrin 240 euro në muaj, ata po kërkojnë edhe kalimin nga kompanitë private nën përgjegjësi të komunës.

Të njëjtat kërkesa, përfshirë rritje pagash për 4 përqind, po kërkojnë edhe punëtorët teknikë në shkolla.

Në 8 prej tyre në kryeqytet është mbajtur grevë të martën.

Punëtorët teknikë thonë se askush nga zyrtarët e Komunës nuk i ka vizituar për t’u njoftuar me kërkesat e tyre.

Në komunën e Prishtinës, kanë premtuar se do t’i shqyrtojnë kërkesat e tyre, përfshirë atë nëse ka mundësi ligjore që të plotësohen ato, siç është: kalimi i këtyre punëtorëve nën menaxhim të Komunës.

Sidoqoftë, punëtorët teknikë thonë se nuk do ta ndalin grevën, deri sa të përmbushet kërkesa e tyre.