Arbëri

Qytetarët kërkojnë që orari i autobusëve nga Stacioni i Prishtinës të jetë online

Qytetarët që udhëtojnë përmes stacionit të autobusëve në Prishtinë, shumicën e informatave në lidhje me itinerarin e linjave vazhdojnë ta marrin përmes thirrjeve telefonike.

Kjo, për shkak të mospërditësimit të të dhënave në webfaqen aktuale të ndërmarrjes publike komunale, raporton KTV.

Udhëtarët e shohin si të domosdoshme një ndryshim të tillë.

Ndërmarrja Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve” ka shpallur tender për zhvillimin e dhe mirëmbajtjen e faqes së saj të internetit për tre vjet.

Kontrata në vlerë prej 890 eurosh, është nënshkruar me kompaninë “Probit” nga Prishtina.

Përfaqësuesi i kësaj kompanie, Armend Shabani, i ka thënë KTV-së përmes telefonit se do të krijohet një faqe e re interneti dhe aty do të vendoset edhe orari i ri i autobusëve.

Me kontratë, ueb faqja e re e stacionit të autobusëve do të mirëmbahet për 3 vjetët e ardhshëm.

Me planin e mobilitetit, Komunës së Prishtinës i rekomandohet që të investojë në një stacion nga i cili do të nisen edhe linjat urbane, përveç atyre ndërurbane dhe ndërkombëtare.