Arbëri

Zllatari, fshati i harruar i Komunës së Prishtinës

Është pak kilometra larg qytetit, por fshati Zllatar i Prishtinës ka mbetur prapa në zhvillim.

Banorët ankohen se nga problemet më të mëdha janë mungesa e ujësjellësit dhe transportit publik, si dhe problemet me rrugë, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Ata thonë se edhe ato pak gjëra që i kanë, janë krijuar falë kontributit të fshatarëve.

Fshatarët furnizohen me ujë përmes puseve që i hapin vetë, derisa përfaqësuesi i tyre thotë se ai ujë është i pashëndetshëm.

Trafiku Urban ka ekzistuar në Zllatar nga vitet e paraluftës, mirëpo është ndërprerë në vitin 2007.

Kjo po u kushton banorëve, pasi duhet të paguajnë transport privat për t’i dërguar fëmijët në shkollën e Matiqanit. Derisa, banorët tjerë duhet të bëjnë zgjidhje alternative.

Ismet Haziri, përfaqësues i banorëve të Zllatarit, thotë se nuk investohet në Zllatar vetëm pse komunarët nuk marrin shumë vota nga ky fshat i vogël me rreth 300 banorë.

Komuna thotë se shumica e sipërfaqes së Zllatarit është pronë private dhe kjo po ua pamundëson realizimin e projekteve, siç është vazhdimi i rrugës.

Gëzim Mehmeti, Drejtor për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës, thotë se Zllatari, sikur edhe në të kaluarën, është përfshirë në planifikimin buxhetor për vitet e ardhshme.

Sipas tij, projekti i rëndësishëm i unazës së brendshme do të kalojë pikërisht nëpër këtë fshat.

Ndërsa, sa i përket transportit urban, nga Zyra për Informim e Komunës kanë thënë se ky problem do të zgjidhet me Planin e Mobilitetit.