Arbëri

Banorët e “Ilir Konushevcit” kërkojnë gjelbërim, Komuna e Prishtinës thotë se do të mbillen 6 mijë fidanë

Rruga “Ilir Konushevci” është një nga më të frekuentuarat në Prishtinë. Gjithashtu, edhe nga rrugët me më së paku gjelbërim.

Banorët rreth kësaj rruge që të dërgon në lagjen “Kodra e Trimave”, janë të mllefosur me komunën, për shkak të mungesës së pemëve, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Ata ankohen edhe për larjen e rrallë të rrugëve, çka bën që të përballen me pluhur kur temperaturat janë më të larta.

Në Komunë thonë se kanë bërë analiza për shtimin e gjelbërimit në këtë pjesë, por vështirësi po u krijojnë hapësirat e papërshtatshme për mbjelljen e drunjve.

Habib Qorri, Shef i sektorit të shërbimeve publike në Komunën e Prishtinës, thotë se deri më tani më shumë janë fokusuar në largimin mbeturinave nga rrugët.

Me ngritjen e temperaturave, ai shton se do të vazhdojnë edhe me larjen e rrugëve.

Ndërmarrja publike “Hortikultura” ka nisur mbjelljen e 6 mijë fidanëve, proces i cili do të vazhdojë edhe gjatë verës.

Hortikultura ka nisur këtë javë edhe mbjelljen e luleve sezonale dhe shumëvjeçare. Në lagjet e kryeqytetit do të mbillen një milion të tilla.