Arbëri

Plani milionësh i mobilitetit në Prishtinë parasheh shumë autobusë e çikleta, e pak vetura

Rehabilitim të shinave dhe instalim të transportit publik mbi shina, të njohur si LRT, (Light Rapid Transit) parasheh plani i mobilitetit për Komunën e Prishtinës.

Duke u nisur nga Lidhja e Lezhës, në afërsi të Kodrës së Trimave, ky plan rekomandon Komunën e Prishtinës që këtë linjë ta funksionalizojë deri në Fushë Kosovë, e edhe deri në aeroportin “Adem Jashari”, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Kjo do të lehtësonte dhe do të largonte ngarkesën në bulevardin ‘Bill Clinton’, që konsiderohet se është rruga më e ngarkuar në Prishtinë ku qarkullojnë deri në 48 mijë vetura në 12 orë punë.

Transporti i dendur në kryeqytet është njëri ndër problemet kryesore dhe rregullimi i transportit publik, do të ulte numrin e automjeteve personale, thuhet tutje në planin prej më shumë se 200 faqesh.

Shtrenjtimi i parkingjeve në qendër dhe rregullimi i linjës së autobusëve, shihen si zgjidhje për këtë çështje.

Duke iu dhënë përparësi banorëve të qendrës, plani rekomandon çmime më të larta parkingu për banorët e periferisë ose të banorëve që vijnë nga komunat e tjera për të punuar në Prishtinë.

Jo të gjithë autobusët do të mund të kalojnë nëpër qendër të Prishtinës.

Plani rekomandon një stacion qendror prej ku do të niseshin edhe linjat urbane. Ndër të tjera, deri në vitin 2022 do të bëhen tri pika transferimi, ku udhëtarët do të duhet t’i ndërrojnë autobusët.

Derisa ndërmarrja “Trafiku Urban” vazhdon të punësojë konduktorë, ata parashihet të largohen dhe biletat të blihen nëpër aparate të biletave.

Qytetarët e Prishtinës do të udhëtonin më shumë me autobusë sikur të dinin se kur do të vijnë autobusët. Për këtë propozohet që të vendosen ekrane informuese nëpër stacione autobusësh.

Derisa plani rekomandon edhe krijim të korsive të veçanta për transport publik në vendet ku është e mundur.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shkruar në Facebook se ky plan i mobilitetit për 12 vjet parasheh mbi 100 masa që tejkalojnë vlerën e 200 milionë eurove.

Ai ka thënë se këtë vit kanë ndarë tre milionë euro për implementimin e shtigjeve të biçikletave dhe mbi pesë milionë në rrugë të ndryshme.

“Plani i mobilitetit të qëndrueshëm, është plan 12-vjeçar për të përmirësuar lëvizshmërinë e qytetarëve në kryeqytet. Parasheh mbi 100 masa në 12 vite në vlerë mbi 200 milionë euro. Sivjet kemi ndarë 3 milionë për implementimin e shtigjeve të biçikletave dhe mbi 5 milionë në rrugë të ndryshme që parashihen në këtë plan”, ka thënë Ahmeti.

Këshilltarët komunalë e kishin kërkuar shumë këtë plan, por kur ai u shkoi në Kuvend, të enjten, folën pak për të.

Plani, megjithatë nuk u ishte dërguar asamblistëve bashkë me materialin tjetër të mbledhjes.

Në seancë, këshilltarët komunalë janë përplasur edhe për planet e hollësishme rregulluese dhe kanë kritikuar qeverisjen Ahmeti për mosshpenzim të buxhetit në vitin 2018.