Që kur është ndarë nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpend Ahmeti ka bërë disa ndryshime nëpër drejtori të Komunës së Prishtinës.
Nga to, më së shumti ka përfituar AAK-ja, me të cilën Ahmeti është në koalicion, duke udhëhequr drejtori të rëndësishme, si ajo e pronës, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Përveç tyre, kohëve të fundit janë bërë ndryshime edhe në përfaqësimin e këshilltarëve komunalë.
Fiknete Bejta, nga LDK-ja, iu bashkua Grupit të asamblistëve të AAK-së. Derisa edhe Bukrie Canolli la Lëvizjen për Bashkim, për t’u bërë pjesë e AAK-së.
Këto lëvizje po shihen si synime të kryetarit Ahmeti për forcimin e pozicionit të tij brenda Kuvendit.
PDK-ja thotë se është zhgënjyese nëse këto ndryshime bëhen për vota, e jo për të mirën e qytetarëve.
Përfaqësuesi i vetëm që ka mbetur nga Lëvizja për Bashkim, Agim Kuleta, thotë se nuk i rrezikohet pozita që mban si kryesues i Kuvendit Komunal.
Pas largimit të Vetëvendosjes nga qeverisja në Prishtinë, partnerë të PSD-së në kryeqytet mbeten AAK-ja, AKR-ja, LB-ja, Nisma dhe Alternativa.
Një nga ndryshimet në kabinetin e Ahmetit që bëri më së shumti bujë së fundmi, është shkarkimi i drejtorit të Arsimit, Jonuz Salihaj.
Salihaj tha se partia e tij e largoi për shkak se nuk pranoi të regjistrojë pa merita nxënës nëpër shkollat e kryeqytetit.
Duke folur për rastin e paraardhësit të saj, drejtoresha e re e Arsimit, Shpresa Shala, thotë se ajo nuk do të merret me regjistrimet e nxënësve nëpër shkolla.
Shala thotë se kjo është kompetencë e drejtorëve të shkollave, jo e dikasterit që drejton.
Ajo thotë se do të fokusohet në ngritjen e cilësisë së arsimit në shkollat e kryeqytetit.
-
Nga: Mehmet Krasniqi
-
2 mars 2019 09:35
-
Shpërndaje në: