Arbëri

Tahiri si kryeinspektor e ka ndër prioritetet e tij largimin e shitësve dhe taksive ilegalë

Pavarësisht paralajmërimeve të shumta për largimin e shitësve ilegalë, ata sërish janë parë të dielën në sheshet e Prishtinës.

Në Komunën e Prishtinës, që kanë nisur aksion për largimin e tyre nga sheshet, thonë se ekipet e inspektorëve, çdo ditë do të jenë në terren, përfshirë fundjavën, raporton KTV.

Këtë vendim e kanë kundërshtuar shitësit, të cilët prapa kamerës kanë thënë se nuk kanë nga ta sigurojnë mbijetesën dhe kjo është mënyra e vetme për ta.

Ndërkaq, qytetarët e kanë mirëpritur këtë veprim të komunës, por kanë thënë se institucionet duhet të interesohen për kushtet ekonomike të këtyre shitësve, e jo vetëm t’i largojnë ata.

Drejtori i Inspeksionit në komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë se janë të përkushtuar në lirimin e hapësirave publike në kryeqytet.

Tutje, Tahiri ka treguar se nëse nuk e përfillin ligjin, shitësve do t’u konfiskohet malli dhe do të dënohen.

Adonis Tahiri, që sapo ka marrë detyrën e drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, ka deklaruar se një ndër prioritet në mandatin tij, do të jetë largimi i shitësve dhe taksive ilegalë, që operojnë në kryeqytet.