“Trafiku Urban” rrit inkasimin si pasojë e reduktimit të taksistëve ilegalë

Mehmet Krasniqi Mehmet Krasniqi 16 February 2019 16:40

Transport ilegal të reduktuar, ka pasur gjatë javës në kryeqytet.

Prapa objektit të Komunës së Prishtinës, në lokacionin që njihet si “Te Plepat”, të mërkurën nuk ka pasur inspektorë dhe policë dhe kjo ka mundësuar qarkullimin e ilegalëve në linjën 1 në relacionin Prishtinë – Fushë Kosovë dhe anasjelltas, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Të shumtë në numër janë edhe ata të linjave 3 dhe 4.

Të organizuar mes vete, ilegalët kanë njoftuar njëri-tjetrin për lokacionin e inspektorëve dhe policëve.

Si pasojë, te Rrethi ku qëndronin inspektorët, nuk kalonin ilegalët.

Më shumë se 40 gjoba secila në vlerë prej 100 eurosh, thonë se janë shqiptuar ndaj transportit që funksionon pa leje.

Nga kjo ka përfituar ndërmarrja publike “Trafiku Urban”, e cila thotë se autobusët u mbushën plot dhe inkasuan 10 për qind më shumë të hyra nga biletat.

Në rast se vazhdon një trend i tillë, Lulzim Rexhepaj, kryeshef i ndërmarrjes “Trafiku Urban”, thotë se ndërmarrja do të ishte në gjendje që vetë të paguante këstet e kredisë për autobusët e rinj.

E ilegalët i kthehen punës në mbrëmje, atëherë kur ka pak inspektorë kujdestarë e pak ose fare transport publik.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme