Komuna e Prishtinës “kursen” paratë e projekteve kapitale, por trash luksin

Mehmet Krasniqi Mehmet Krasniqi 15 shkurt 2019 23:30

Komunës së Prishtinës sërish i kanë tepruar paratë për investime kapitale gjatë 2018-s.

Sipas raportit financiar të komunës, të cilin e ka publikuar LDK-ja, nga 38 milionë e 500 mijë euro sa ka qenë buxheti për këtë kategori, janë shpenzuar vetëm 16 milionë e 700 mijë euro, apo 43.47%, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Megjithëse i kanë mbetur para, komuna nuk ka arritur t’i përfundojë projektet e planifikuara kapitale.

Një nga premtimet e parealizuara të kryetarit të Komunës, Shpend Ahmetit të bëra gjatë fushatës zgjedhore, ishte se brenda 6 muajsh do të përfundonte ndërtimi i kolektorit të ujërave të zeza përgjatë rrjedhës së lumit Mat, në këtë lagje dhe atë “Kalabria”.

Sipas LDK-së, shuma mjeteve të mbetura që do të barten në buxhetin e këtij viti është 25 milionë euro.

Për asamblistin e kësaj partie, Halim Halimi, kjo situatë është skandaloze, sepse, sipas tij, e njëjta dëshmon paaftësi të Ahmetit për të qeverisur me Prishtinën.

Por, me shumën e bartjes së buxhetit nuk po pajtohet kryetari Ahmeti, i cili thotë se ajo nuk mund të jetë mbi 15 milionë euro.

“Kjo varet krejt sa para i mbledhim në fund të vitit dhe i bartim. Ende nuk është caktuar ajo shumë. Sa e di unë, me pagesat që i kemi vendosur edhe në dhjetor, kjo shumë do të jetë rreth 15 milionë euro. Por, meqë LDK-ja po e di, është mirë t’i shohim edhe komunat ku qeverisin ata”, ka thënë Ahmeti.

Iniciativa për Progres, që monitoron punën e komunës, thotë se ajo nuk ka pasur asnjë vështirësi që t’i realizojë shpenzimet e luksit, madje ka tejkaluar shumat e aprovuara për shpenzim.

Sipas INPO-s, për një vit, komuna ka shpenzuar mbi 30 mijë euro për dreka zyrtare, ndërkaq të aprovuara ishin vetëm 25 mijë.

Për telefona mobilë mbi 8 mijë euro më shumë se që ishte planifikuar, për karburante të veturave janë shpenzuar mbi 13 mijë euro më shumë sesa ato që u planifikuan, si dhe qiraja për vetura është tejkaluar për 180 mijë e 990 euro, apo 300% më shumë.

Totali i buxhetit për vitin e kaluar ka qenë 86 milionë euro, derisa komuna ka shpenzuar vetëm 61 milionë prej tyre, duke përfshirë edhe shpenzimet për mallra dhe shërbime.

INPO e ka ftuar kryetarin Shpend Ahmeti që me seriozitetin maksimal të angazhohet në identifikimin e faktorëve që kanë ndikuar në mosrealizmin e buxhetit për këtë kategori dhe të hartohen strategji të fokusuara në investime kapitale.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme