Ahmeti nesër padit VV-në Foto: Koha

Ahmeti nesër padit VV-në

11 shkurt 2019 18:08

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se nesër do të dorëzojë padi në Pallatin e Drejtësisë ndaj ish-partisë së tij, Vetëvendosje.

Komuna e Prishtinës paralajmëroi rastin duke treguar se padia do të dorëzohet të martën në orën 10:00, por duke mos dhënë sqarim për çfarë do të dorëzohet padia. Në një përgjigje për KTV-në, Ahmeti ka thënë se do ta padisë VV-në për shpifje lidhur me akuzat për tenderin për qumësht.

Vetëvendosja e kishte paditur Ahmetin lidhur me tenderin e sivjetmë për qumësht, duke dorëzuar në Prokurori kallëzim penal “për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për lidhje të kontratës së dëmshme”.

VV-ja në Prishtinë kishte thënë se në periudhën 2014-2015, në tenderin për qumësht për klasat e I-V, oferta për një qumësht të vogël ka qenë 10 cent ndërsa fitues i këtij tenderi ka qenë “Devolli group” Sh.P.K, me qumështin VITA dhe vlera e përgjithshme e kontratës ka qenë 200.000 EUR, ndërsa për vitin 2018, i njëjti tender me të njëjtin numër të njësive, për të njëjtin numër të nxënësve i ka kushtuar Komunës 733,698.00 EUR.

Kjo s’është hera e parë që PSD-ja e Ahmetit dhe Vetëvendosja përplasen dhe padisin njëra-tjetrën. Ditë më parë, deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, paditi deputetin e PSD-së, Dardan Molliqajn, për shpifje për deklaratat e tij se Konjufca ishte dikur pjesëtar i SHIK-ut.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme