Arbëri

Vetëvendosje: Komuna e Prishtinës duhet të përgjigjet për mbi 50 sulme të qenve endacakë

Descriptive Text

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për sulmet e kohëve të fundit nga qentë endacakë në kryeqytet. Ka marrë shkas nga raportimet në media, ku më shumë se 50 raste të sulmeve në njerëz nga qen endacakë janë regjistruar në QKUK.

“Në vite të kaluara ka pasur raste edhe të sulmeve me pasoja fatale. Komuna e Prishtinës çdo vit i ndan rreth 100,000 euro për trajtimin e qenve endacakë. Por sulmet e shpeshta janë dëshmi që masat që po merren nuk janë të mjaftueshme”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Sipas kësaj partie, lagjet më të rrezikuara janë Velania dhe Mati, e gjithsesi sulme më të shpeshta ka në lagjet perifetike.

“Sipas organizatave dhe aktivistëve që merren me qentë endacakë në Prishtinë, fondet që janë dedikuar për trajtimin e qenve nuk po përdoren si duhet, dhe sipas tyre ka bazë për dyshim se qendra e kontraktuar për trajtimin e tyre po merr përsipër vetëm një pjesë të qytetit, madje duke trajtuar të njëjtët qen disa herë, përderisa të tjerë nuk pranohen nga qendra fare”, thuhet në reagimin e VV-së në Prishtinë.

Qendra e Harilaqit, si njihet ndryshe qendra e kontraktuar, sipas raporteve në media trajton diku 1300 qen në vit, përderisa sipas kalkulimeve nga organizatat vetëm në kryeqytet numri i qenve endacakë duhet të jetë dyfish aq.

“Duke ndjekur ligjin, dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, qentë endacakë shkojnë në procesin e njohur shkurt si KSVL (Kastrim, Sterilizim, Vaksinim, Lirim). Kjo procedurë ndikon në kontrollimin e numrit të qenve, si dhe në uljen e agresivitetit të tyre. Popullatës së qenve që kalojnë përmes kësaj procedure u vendosen shënjues në veshë. Sipas metodave moderne, qenve duhet t’u vendosen edhe çipa nën lëkurë për identifikim dhe regjistrim më të mirë”, thuhet në njoftim.

Po duke u thirrur në organizata të shoqërisë civile, por edhe te aktivistët që trajtojnë popullatat e qenve endacakë në Prishtinë, buxheti i Komunës është i mjaftueshëm për të mbajtur të regjistruar me çip, dhe për të kontrolluar gjithë popullatën e qenve endacakë në kryeqytet, duke ulur ndjeshëm rrezikun e sulmeve në njerëz, por edhe duke trajtuar njerëzisht kafshët.

“Por komuna nuk po ndërmerr asnjë hap në drejtim të zgjidhjes së problemit të madh në kryeqytet me popullatën e qenve endacakë. Lëvizja Vetëvendosje! kërkon që menjëherë të ndërmerren hapa në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi, duke ndjekur këshillat e komunitetit, ekspertëve të vendit dhe ndërkombëtarë. Ekzekutivi i Prishtinës duhet urgjentisht të përfshijë komunitetin në proceset që kanë të bëjnë me qenët endacak në qytet. Duke krijuar mekanizma të veçantë që ndërmarrin masa urgjente në kë të drejtim”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

“Lëvizja Vetëvendosje! po ashtu kërkon proces gjithëpërfshirës me komunitetin në monitorimin e punës së qendrave dhe veterinarëve të kontraktuar për trajtimin e qenve endacakë. Si dhe masa të menjëhershme dhe konkrete në drejtim të krijimit të strehimoreve adekuate dhe sipas standardeve për këtë qëllim”, thuhet në fund të njoftimit të LVV-së.