Arbëri

Udhëtarët inkurajohen t’i raportojnë ankesat për parregullsitë në autobusët urbanë të Prishtinës

Çdo mëngjes, grumbullon ankesat e udhëtarëve për autobusët e “Trafikut Urban”.

Zyrtari përgjegjës i merr ato nga Kutia e Ankesave, e cila gjendet në rrugën “Agim Ramadani” dhe i dërgon në ndërmarrje.

Qytetarët inkurajohen që çdo parregullsi që e hasin gjatë udhëtimit të tyre, apo ankesë ndaj stafit të autobusit, ta paraqesin në ndërmarrje, raporton “038” i KTV-së.

“Ne në ndërmarrjen 'Trafiku Urban” kemi ndërtuar një sistem për pranimin dhe trajtimin e ankesave dhe njëkohësisht i pranojmë me mirësi të gjitha ankesat, shqetësimet apo vërejtjet nga qytetarët. Qytetarët mund t'i vendosin ankesat e tyre në kopje fizike ku mund të lënë ndonjë mundësi kontakti apo edhe në formë anonime”, ka thënë Lulzim Rexhepaj, kryeshef i kompanisë “Trafiku Urban”.

Para kamerës qytetarët deklarohen të kënaqur me shërbimet që marrin në këta autobusë.

Pasi të mbërrijnë në ndërmarrje, ankesat hapen dhe protokollohen. Si duket qytetarët preferojnë që ankesat më shumë t’i bëjnë me shkrim.

Ata zakonisht ankohen për sjellje jo të mira të pjesëtarëve të stafit të autobusëve, vonesat e tyre në stacione dhe për mosrespektim të orarit.

Në “Trafikun Urban” thonë se të gjitha këto ankesa trajtohen dhe më pas ndërmerren masat e nevojshme për ta përmirësuar cilësinë e shërbimeve.

“Prej shkurtit 2018, kanë qenë 186 ankesa që na janë drejtuar, të gjitha janë shqyrtuar. Ka pasur raste ku për shoferët, konduktorët që kanë pasur sjellje të këqija kanë marrë vërejtje ose dënimet në bazë të komisionit”, ka thënë Muharrem Selimaj, anëtar i Komisionit për ankesa te “Trafiku Urban”.

Pas protokollimit, ankesat shqyrtohen në Komisionin e ankesave, nga ku pastaj adresohen te shoferët, konduktorët, apo te palët tjera, varësisht natyrës së ankesave.

“Kemi pasur dy lloje të ankesave, dy i përkasin komunës, sepse duan shpeshtimin e numrit të autobusëve në Bardhosh dhe njëra ka qenë vonesa e autobusit në Fushë-Kosovë. Këto kalojnë në departamentin e operativës për shqyrtim, dy shkojnë në komunë, një mbetet këtu. Qëllimi ynë është ngritja e cilësisë dhe disiplinës në punë te shoferët dhe konduktorët. Të gjitha ankesat që vijnë për shoferët dhe konduktorët, mosrespektimin e kritereve në autobus, mosshpërndarjen ose dhënien e kuponit fiskal, vozitja shpejt apo ngadalë, ato i kemi prioritet dhe i shqyrtojmë me menaxhmentin që të mund të marrim masa nëse bëhen shkelje të rregullave”, ka thënë Avni Ramadani, Drejtor i Administratës te “Trafiku Urban”.

Qytetarët mund t’i raportojnë ankesat edhe përmes postës elektronike, numrave të telefonit të ndërmarrjes dhe falas përmes aplikacionit “Viber”.