Arbëri

Qytetarët, skeptikë për një Prishtinë të pastër

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pati premtuar që 2018-ta do të jetë vit i pastërtisë për kryeqytetin.

Për qytetarët viti i kaluar nuk ka qenë i tillë. Disa prej tyre nuk presin që as ky vit të jetë më i pastër.

Ka prej atyre që fajësojnë komunën, derisa disa janë të mendimit se nga fajtorët kryesorë janë vetë qytetarët, raporton “038” i KTV-së.

Komuna thotë se si në zonën urbane, ashtu edhe rurale, kompania “Pastrimi” respekton orarin e rregullt për grumbullimin e mbeturinave.

Por, sipas udhëheqësit të sektorit të shërbimeve publike, Habib Qorri, ngarkesat e mëdha të amvisërive dhe bizneseve bëjnë që disa pika të kontenjerëve të jenë më të ngarkuara me mbeturina.

Ai thotë se edhe sivjet kanë planifikuar buxhet për rregullimin e infrastrukturës, caktimin e pikave për hedhjen e mbeturinave dhe numrin e nevojshëm të kontenjerëve.

“Kur ne i ofrojmë këto mundësi, u mbetet qytetarëve dhe bizneseve ose të gjithë atyre që hedhim mbeturina, që t'i respektojnë procedurat e largimit të mbeturinave nga ambientet e tyre dhe të hidhen në vendet e caktuara, ku lejohet dhe menaxhohet në vazhdimësi. Jo në hapësira publike, jo në afërsi të shportave. Në shportat për mbeturina në imëta shfrytëzohen për mbeturina të ndryshme edhe me thasë, deri edhe tek ato ndërtimore që bëjnë rinovime të banesave ose shtëpive, ato hidhen në afërsi të këtyre shportave. Këto e krijojnë atë imazhin që nuk është komuna duke kryer, por komuna është duke kryer se në vazhdimësi largohen”, thotë Habib Qorri , udhëheqës i sektorit të Shërbimeve Publike, Komuna e Prishtinës.

Ndërgjegjësimi i qytetarëve për hedhjen e mbeturinave do të tentohet të bëhet edhe në një formë tjetër.

“Edhe këtë vit kemi planifikuar fushatë vetëdijësuese që sa më shumë të kontaktojë me qytetarët dhe të jetë në kontakt qoftë përmes fëmijëve, banorëve, që të rritet vetëdijësimi ku do të hedhet mbeturina dhe si të bëhet ndarja e saj”.

Kompania Regjionale “Pastrimi” kërkon ndihmën e qytetarëve për ta mbajtur më të pastër kryeqytetin.

Një aksion i madh për largimin e deponive ilegale të mbeturinave në kryeqytet po paralajmërohet të nisë në pranverë. Këtë aksion, Kelmendi deklaron se do ta bëjnë më ndryshe se të tjerat.

Mbeturinat grumbullohen në 508 pika të Prishtinës, pa përfshirë këtu shërbimin derë më derë.

Mesatarisht, kompania “Pastrimi” brenda 24 orëve largon 231 mijë kilogramë mbeturina nga Prishtina.