Arbëri

Vetëvendosje insiston se Komuna po paguan 530 mijë euro më shumë për kifle e qumësht

Lëvizja Vetëvendosje sërish e ka ngritur çështjen e pagesës për qumësht dhe kifle në Komunën e Prishtinës.

Përmes një konference për media të premten, zyrtarë të saj kanë thënë se sivjet kjo Komunë po paguan 530 mijë euro më shumë për kifle dhe qumësht, të cilat u shpërndahen falas nxënësve në baza ditore nëpër shkolla, shkruan sot Koha Ditore.

Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, ka thënë se deri në fillim të vitit të kaluar, qumështi në shkollat fillore u pagua me 200 mijë euro, por vitin e kaluar gjërat kanë ndryshuar. Për të njëjtin shërbim, sipas saj, Komuna pagoi 733 mijë e 698 euro.

“Si arriti Komuna ta parashikojë vlerën e tenderit për sasinë dhe cilësinë e njëjtë të qumështit në vitin 2018, që doli 300% më e shtrenjtë sesa atë që kishte parashikuar në vitin 2017? Ku është bazuar zyra e kryetarit? A ka pasur zyra e kryetarit ndonjë dokument zyrtar ku sqarohet se për shkaqe të ndryshme çmimi i qumështit në treg është shumëfishuar? Deri më tani kryetari i Komunës nuk ka dhënë asnjë sqarim se në çfarë baze ka vendosur vlerën e parashikuar në tender”, ka thënë Pacolli.

Sipas saj, kur filloi ky projekt, komuna kishte në dispozicion 200 mijë euro. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)