Arbëri

Shpërthimi i gypit të ujësjellësit vërshon “Xhemajl Ibishin”

Foto: Koha

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm ka shpërthyer një gyp i ujësjellësit në rrugën “Xhemajl Ibishi” te “fusha e pajtimit” në hyrje fshatit Llukar.

Nga pamjet që ka siguruar Koha.net shihet se sasia e ujit që ka dalë në rrugë është mjaft e madhe, ajo mbulon rreth 500 metra gjatësi të kësaj rruge magjistrale.

Arjeta Mjeku, zëdhënëse në KUR “Prishtina”, ka konfirmuar për Koha.net ekipet mirëmbajtëse tani janë duke punuar për ta sanuar këtë problem, dhe sipas saj puna pritet të kryhet shumë shpejt.

“Në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme jemi njoftuar për rastin në fjalë dhe ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit tashmë janë në vendin e ngjarjes për të shikuar shkakun e pëlcitjes së gypit dhe më pas për ta sanuar atë. Po besoj se shume shpejt do të kryhet”, ka thënë Mjeku.

Gjithashtu ekipet e KUR “Prishtina” sot janë parë duke punuar me orë të tëra edhe përballë Kuvendit të Kosovës me ç’rast kanë sanuar problemin.