Rrugët e Prishtinës vështirë të kalueshme

Rrugët e Prishtinës vështirë të kalueshme

09 January 2019 14:53

Pas reshjeve të borës, rrugët e kryeqytetit në mëngjesin e sotëm ishin vështirë të kalueshme, qoftë për vozitës po ashtu edhe këmbësorë. Këta të fundit fajësojnë Komunën e Prishtinës, sepse sipas tyre kompanitë e pastrimit nuk janë angazhuar për pastrimin e rrugëve. E vetëm në 24 orët e fundit kanë ndodhur 35 aksidente të trafikut, transmeton KsP.

Meqë rrugët në mëngjes ishin pothuajse tërësisht të pa pastruara, Isak Sadiku u detyrua që trotuaret para lokaleve t’i pastrojë vetë. Të vështirë e pati ecjen edhe deri këtu. Ai thotë se të gjitha rrugët në qytet janë pothuajse të pakalueshme.

Se rrugët janë vështirë të kalueshme thotë edhe Rasim Hoxha.

Sipas tij, qytetarët duhet të alarmojnë për këtë gjendje, sepse, siç tha ai, pushtetit lokal nuk po i bëhet vonë për këto gjëra.

Qarkullimin në qytet, e pati të vështirë edhe Fatos Gashi. Ai thotë se sot është shumë vështirë të vozitet, për shkak të rrugëve të papastruara.

Të njëjtin mendim e ndan edhe Naim Osmani, qytetar nga Prishtina.

Sipas tij, në këso kushte, janë në rrezik për aksidente, e për këtë gjendje ai fajtor bënë komunën, sepse sipas tij këta të fundit nuk po janë të përgjegjshëm.

Ndryshe nga realiteti, i pari i kryeqytetit, përmes rrjetit social facebook ka thënë se kompanitë e pastrimit kanë qenë tërë natën në terren.

“Të gjitha kompanitë e kontraktuara kanë qenë tërë natën në terren dhe vazhdojnë të punojnë me kapacitete të plota. Reshjet pritet të vazhdojnë prandaj lusim për qarkullim te kufizuar dhe përshtatje të shpejtësisë”, ka shkruar Shpend Ahmeti.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës në 24 orët e fundit kanë ndodhur 35 aksidente të trafikut.

“Aksidente fatale asnjë, aksidente me të lënduar 8, aksidente pa të lënduar 27, tiketa trafiku të shqiptuara 1042”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme