VV padit Ahmetin për tenderin e qumështit

VV padit Ahmetin për tenderin e qumështit

08 January 2019 12:11

Aktivistë të Vetëvendosjes në Prishtinë kanë dorëzuar në Prokurori kallëzimin penal ndaj kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për lidhje të kontratës së dëmshme”.

Aktivisti i kësaj partie, Valdrin Ahmeti ka thënë me këtë rast se bëhet fjalë për tenderin për furnizim me qumësht për nxënësit e klasëve I-V.

“Para disa ditësh përmes një konference për media ngritëm dyshimin për keqpërdorim në tenderin për furnizim me qumësht për nxënësit e klasëve I-V. Pas kësaj konference pasuan reagime të shumta të zyrtarëve komunal deri te kryetari i Komunës i cili paralajmëroi se do të na padisë për shpifje. Sot, sapo dorëzuam në prokurori kallëzimin penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës për keqpërdorim të 530 mijë € në tenderin për furnizim me qumësht për nxënësit e klasëve I-V”, ka thënë ai.

Më pas ai ka paraqitur kontratën, për të cilën thotë se komuna e ka bërë më 27 shtator 2016. “Në specifikacionet e tenderit shihet qartë se VLERA E PARASHIKUAR E TENDERIT, është 200 mijë €. Saktësisht në parashikimin e Komunës së Prishtinës oferton 'Devolli group' sh.p.k. e cila e fiton tenderin me 200 mijë €. Komuna njofton për dhënie të kontratës më datë 31 tetor 2016 dhe njofton për nënshkrim të kontratës me datë 1 dhjetor 2016. Këtu po flasim për tenderin për furnizim me qumësht për klasët I-V për vitin 2017. Në vitin 2017, saktësisht në datë 5 tetor, Komuna e Prishtinës pubikon njoftimin për kontratë, ku çuditërisht, VLERA E PARASHIKUAR E TENDERIT nga 200 mijë € sa ishte në vitin paraprak, bëhet 730 mijë €. Njoftimi publikohet përsëri më 30 tetor si RETENDERIM me të njëjtën VLERË TË PARASHIKUAR TË TENDERIT. Nuk kemi të bëjmë me rritje të çmimit, as dyfishim. Vlera e parashikuar e tenderit është rritur për 530 mijë € nga ana e Komunës së Prishtinës. Nuk po flasim për ofertën që është dorëzuar nga një apo disa operatorë ekonomik. Po flasim për dokumentin që e ka përpiluar Komuna e Prishtinës. Pra Komuna e Prishtinës ka parashikuar rritje prej 365 % të vlerës së tenderit! VETËM RRITJA është 365% e vlerës së tenderit, apo 530 mijë €”, ka thënë ai. “Kësaj rradhe tenderin nuk e fiton më 'Devolli Group' sh.p.k. por tash e fiton kompania me emërtimin "Abrazen". Me datë 28 dhjetor 2017, Komuna e Prishtinës lëshon njoftimin për dhënie të kontratës kësaj kompanie, përderisa më 23 janar 2018 lëshon njoftimin për nënshkrim të kontatës. Kompania Abrazen e fiton tenderin si ofertues i vetëm me çmim 733.698,00 €. Pra vetëm 3 698€ më shumë së parashikimi i Komunës së Prishtinës. Si arriti me kaq saktësi Komuna ta parashikojë ofertën e kompanisë 'Abrazen', përveçse nëse nuk janë marrë vesh më herët”.

VV ngre dyshime se kryetari Ahmeti ka bërë dallavere në tenderin e qumështit për fëmijët

“Pas konferencës sonë u ngritën shumë dyshime në lidhje me kohëzgjatjen e kontratës dhe sasinë e qumështit. Kontratat siç mund ta shihni janë të dyjat një vjeçare, dhe sasia në të dy vitet është e njëjtë. Dhe nuk po flasim për vitin 2014, që sipas zyrtarëve komunalë vetëm është testuar shpërndarja e qumështit por po flasim për vitet 2017 dhe 2018, ku në tender NUK KA asnjë ndryshim të sasisë. Pra me të njëjtën sasi në vitin 2017 është 200 mijë €. Në vitin 2018 është 733.698,00€. DALLIMI ËSHTË 533 698 €. Nësë kontrolloni të dhënat zyrtare, fillimisht kompani ‘Abrazen’ është regjistruar në Kosovë me kapital fillestar nga Malta, që njihet si një nga parajsat fiskale, e nëse gjurmojmë edhe më thellë gjejmë se "Abrazen LTD” me bazë në Maltë është kompani me aksione të fondeve të ardhura edhe nga Anguila, poashtu një nga vendet që njihet si parasjat fiskale. Më e rëndësishmja është që në 2 rastet, pronarët e vërtetë janë vëllezërit Devolli. Për më shumë drejtori i "Devolli group" sh.p.k. Ernest Jusufi del të jetë edhe anëtar bordi në kompaninë 'Abrazen' në Kosovë. Zyrtarët tjerë të ‘Abrazen’ janë të lidhur të gjithë me Devollin, disa si ish-drejtor të qumështores VITA, disa si anëtar bordi në Z-Mobile”, ka thënë më pas Ahmeti duke shtuar se me “këtë ndryshim, Shpend Ahmeti ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Prishtinës për mbi 530 mijë €”.

“Shpend Ahmeti duhet të mbajë përgjegjësi publike morale e politike para qytetarëve të Prishtinës e gjithë Kosovës për këto 530 mijë €, por pas këtij kallëzimi penal ai duhet të mbajë edhe përgjegjësi penale për këtë keqpërdorim flagrant të parasë publike”, ka vazhduar më tej ai. “Shpend Ahmeti duhet të tregojë ku janë 530 mijë €? Çfarë borxhi i ka Shpend Ahmeti - Devollëve që i ka shpërblyer me 530 mijë €? Dallaveret e PDK-së me tenderët nëpër varrezat e dëshmorëve si duket tash po marrin formë të re të dallavereve me tender në qumështin për fëmijët nëpër shkolla fillore”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme