Arbëri

Mustafa, i shqetësuar nga mos-shqetësimi i institucioneve për ajrin e ndotur

Descriptive Text

Ish-deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa, është shprehur i shqetësuar me faktin se asnjë prej institucioneve shtetërore, duke u nisur nga Komuna e Prishtinës, pastaj ministritë përkatëse e edhe Qeveria, nuk po e trajtojnë si duhet çështjen e ajrit të ndotur.

Ai, përmes një reagimi postuar dje në faqen e tij në Facebook, thotë se si për shumëçka tjetër, edhe për këtë problematikë shohim një shqetësim shumë të vogël jo vetëm në udhëheqjen e Prishtinës por edhe në institucionet qendrore. Madje Mustafa thotë se reagimi i tyre është një retorike shterpë.

“Për këtë është dashur të mendohet që nga pranvera e këtij dhe dy a tri viteve më parë. Shohim një aktivitet me hapa breshke për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore mbi bazë të koogjenerimit, kapaciteti i të cilit është i shfrytëzuar ndoshta vetëm 50%. Kjo është një sjellje e çuditshme ngase këtu do të kishim efekte edhe në zvogëlimin e konsumit të energjisë edhe në reduktimin e ndotjes”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ky është reagimi i plotë i Mustafës:

Ndotja alarmante e ajrit në Prishtinë dhe vonesa në zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore

Këto tri katër javët e fundit thuaja përditë po zgjohemi me titujt alarmantë në media: Ndotja e ajrit në Kryeqytet rrezik për shëndetin apo të ngjashëm. Kështu edhe sot. Dhe, si edhe për shumëçka tjetër shohim një shqetësim shumë të vogël jo vetëm në udhëheqjen e Prishtinës por edhe në institucionet qendrore. Reagimi i tyre është një retorike shterpë. Për këtë është dashur të mendohet që nga pranvera e këtij dhe dy a tri viteve më pare. Shohim një aktivitet me hapa breshke për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore mbi bazë të koogjenerimit, kapaciteti i të cilit është i shfrytëzuar ndoshta vetëm 50%. Kjo është një sjellje çuditshme ngase këtu do të kishim efekte edhe në zvogëlimin e konsumit të energjisë edhe në reduktimin e ndotjes. Prandaj është e çuditshme se si nuk janë mobilizuar gjithë burimet financiare, duke përfshi edhe donatorët që bile ky kapacitet i kogjenrimit, i inauguruar, 3-4 vite më parë, të shfrytëzohet 100%! (?) Në këtë mënyrë do të reduktohej ngrohja me dru e thëngjill që, krahas automjeteve të vjetruara dhe KEK-ut, konsiderohet si burim i madh i ndotjes. Nuk do të duhej të ishin dashtë më shumë se dy sezone pranvere e vera për ta përfunduar këtë projekt të zgjerimi të ngrohje qendrore në Prishtinë.