Arbëri

Ende s’janë ndezur dritat e festave, Komuna fton ta prisni Vitin e Ri në shesh

Derisa po i afrohemi javës së fundit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës premton se festa në kryeqytet për Vitin e ri, do të jetë e paharrueshme.

Organizimi kryesor nga komuna edhe këtë vit do të jetë aktiviteti “Prite n’shesh”, ku qytetarët që vendosin ta presin në sheshe ndërrimin e moteve do të argëtohen përmes performancave muzikore, raporton emisioni “038” në KTV.

Për të kompensuar mosndezjen e dritave, komunarët thonë se do të kenë artistë të shumtë për ndërrim të motmoteve.

“Më 31 dhjetor, nga ora 11 e natës deri pas orës 2 të mëngjesit, pjesëtarë të njohur të skenës muzikore, si Ledri Vula, Dren Abazi, Yll Limani, Flaka Krelani, Zig Zag Orchestra do të performojnë në sheshin “Zahir Pajaziti. Këta janë nja katër emrat që i kemi ftuar dhe kemi me pas rastin me pritë edhe vitin e ri këtu në sheshin e kryeqytetit. Emrat tjerë do t'i shpalosim ditëve në vijim. Qëllimi është që gjatë ditës të fillojmë me një koncert prej orës tre, pastaj, main act do të jetë prej orës 11 deri në ora 2 pas ndërrimit të motmoteve. Këngëtarët që i përmenda do të jenë të fokusuar prej orës 11 me prit ndërrimin e motmoteve”.

Përpos “Prite n’shesh” dhe tregut të fundvitit që tashmë është hapur, prej të hënës e deri të dielën, çdo mbrëmje do të ketë koncerte nga bende të ndryshme muzikore.

“Prej datës 24 deri më 30 çdo natë do të ketë përformanca muzikore të artistëve të ndryshëm, ku shumicën e rasteve muzika ka me qenë ajo që do ta simbolizojë festat e fundvitit. Pra, kemi me u fokusu në seta për krishtlindje, muzikën jazz. Ka me pas bende si...”

Deri në ditën e fundit të këtij viti, nga teatri "Dodona" dhe kinemaja "Armata", do të ketë edhe aktivitete të ndryshme, të cilat komuna thotë se do t’i publikojë gjatë javës.