Fëmijët kërkojnë fusha sportive e gjelbërim në vend të varrezave në Velani

Mehmet Krasniqi 15 December 2018 19:21

Gjendja jo e mirë e parkut te varrezat e dëshmorëve në Velani të Prishtinës, ka nxjerrë në protestë fëmijë dhe prindër nga lagjet përreth. Ata kërkuan që të ndalet degradimi i mëtejmë i parkut.

Fëmijët kanë kërkuar që parku të kthehet në shfrytëzim përmes ndërtimit të fushave sportive dhe krijimin e hapësirave gjelbëruese, raporton KTV.

Përfaqësuesi i fëmijëve, Leon Biçaku, tha se në vend që t’i kushtojnë kohë shkollimit të tyre, ata tani duhet të trajtojnë probleme që janë përgjegjësi e institucioneve.

Protestuesit kërkuan që varrezat të zhvendosen, pasi vlerësuan se dëshmorët meritojnë të pushojnë në një vend më të përshtatshëm.

Derisa në vend të varrezave, propozuan ngritjen e një memoriali ku do të shkruheshin emrat e të gjithë dëshmorëve.

Liridon Llapashtica, një nga organizatorët e protestës, kërkoi që parku të kthehet në gjendje të rregullt.

Qytetarët janë deklaruar të shqetësuar për gjendjen e parkut dhe rrezikshmërinë që ai paraqet.

Në fund të protestës, fëmijët kanë mbjellë një fidan, si simbolikë kundër shkatërrimit të gjelbërimit. Projekti për rregullimin e parkut i cili rrethohet prej së paku 4 lagjeve, ka nisur para rreth 8 vjetësh.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme