Arbëri

Asnjë masë për të ulur numrin e veturave në Prishtinën e ngufatur me ajër të pashëndetshëm

Prishtina vazhdon të përballet me ndotje të ajrit dhe masa të shumta janë përmendur, por pak është bërë në realitet.

Qymyri vazhdon të shitet nëpër shumë pjesë të qytetit, raporton 038 në KTV.

Disa herë është thënë që shumica e veturave të Kosovës janë të regjistruara në regjionin e Prishtinës.

Komuna kishte testuar ndaljen e veturave George Bush, për të ndërtuar një shesh të ri, por jo për të përmirësuar cilësinë e ajrit, siç bëri në fillim të vitit.

Transporti pa pagesë as që është përmendur, ndonëse dy ditë sa ishte bërë në janar, kishte ulur numrin e veturave dhe i kishte mbushur plot autobusët.

Tani, në Ministrinë e Mjedisit thonë se task-forca do të takohet javën që vjen dhe aty do të vendoset për masat e reja.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se janë duke e shqyrtuar koston që do t’u dilte nga transporti falas derisa ka përmendur investimet në 51 autobusët e kompanisë publike.

“Janë investuar mbi 11 milionë euro në transport publik, por kjo nuk mjafton. Tani kalojmë në fazën e investimeve në sektorin privat. Duhet që as të mos na shkojë mendja në importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet. Për shtypje atmosferike e lagështi nuk kemi çka bëjmë, por për të tjerat janë zgjedhje e vendime, që ne si qytetarë, i marrim gjatë gjithë vitit”, ka thënë Ahmeti.

Në Kosovë, gjatë vitit 2018, janë importuar 27,761 vetura sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga to, vetëm 159 janë të vitit 2018 dhe të tjerat janë më të vjetra.

Më së shumti vetura të importuara ka me vit të prodhimit 2008, e që janë 4 mijë e 546.

Megjithatë, në vend janë importuar edhe vetura me 30 e 40 vjet të vjetra.

Më e vjetra është e vitit 1959 apo 59 vjet e vjetër.