Arbëri

Bashkësitë lokale nëpër fshatra pajisen me stufa të reja

Descriptive Text

Komuna e Prishtinës ka pajisur me stufa të reja për ngrohje dhjetëra Bashkësi Lokale nëpër fshatra të kryeqytetit. Ka bashkësi që deri më tani janë ngrohur me stufa, të cilat ishin vendosur 3 vjet pas përfundimit të luftës, pra para 15 vjetësh. Zyrtarët e disa Bashkësive thonë se komuna i furnizon rregullisht me dru, raporton 038 e KTV-së.

Kjo stufë e re është vendosur para një muaji, në vend të stufës së vjetër që për 15 vjet është përdorur për t’u ngrohur nga Bashkësia Lokale në fshatin Llukar.

Kjo bashkësi është një nga dhjetëra bashkësitë tjera në fshatrat e kryeqytetit, të cilat komuna i ka pajisur me stufa të reja për t’i përballuar më lehtë ditët e ftohta.

Në hapësirën e Bashkësisë Lokale ku gjendet stufa e re, në mungesë të stufave tjera zhvillon punën edhe punonjësi i Zyrës së Vendit.

Edhe Bashkësia Lokale në Besi është pajisur me stufë të re. Veçse ajo është vendosur në objektin e ri të kësaj bashkësie, në të cilën pritet të zhvendoset stafi i saj.

Në objektin e vjetër, deri më tani ata janë ngrohur me një stufë të vjetër.

Me stufë të tillë nuk është pajisur bashkësia në fshatin Shkabaj, pasi ajo që kur është ndërtuar para disa vitesh, asnjëherë nuk është hapur për t’u ofruar shërbime qytetarëve.