Arbëri

Trafoja e rrymës rrezikon nxënësit në shkollën e Grashticës, s’ka marrëveshje për largimin e saj

Drejtuesit e shkollës “Teuta”, në fshatin Grashticë të Prishtinës, po kërkojnë që ta zhvendosin, për pak metra më tutje, një trafo të rrymës e cila gjendet në oborrin e saj.

Drejtori Ali Berisha thotë se prezenca e trafos aty rrezikon nxënësit dhe pamundëson që për këta të fundit të ndërtohet një kënd lojërash, raporton 038 në KTV.

“Është kërkesë sepse është pengesë për nxënësit, ta quaj kushtimisht edhe rrezikshmëri edhe pse rrezikshmërinë e bart vet KEDS-i. Ka hapësirë të mjaftueshme me largu vetëm krejt qëllimi është diskutimi i saj, këtu është pengesë”, ka thënë ai.

Berisha bën të ditur se kanë kërkuar vazhdimisht nga KEDS-i që ta largojnë trafon. Sipas tij, edhe pse i kanë përfunduar obligimet e tyre si shkollë, kjo procedurë po zgjat shumë.

Ai thotë se KEDS-i u ka sqaruar që nuk mund të ndërhyjnë sepse shkolla është pronë e komunës dhe se duhet leje për këtë.

Një marrëveshje mes komunës dhe KEDS-it, sipas tij, do ta zgjidhte këtë çështje.

“Kërkesën po, por procedurë pak e gjatë, me shku me tenderim, kushton shumë shtrenjtë, ato gjëra duhet me i mbulu dikush. Ndoshta për shkak të kostos shumë të shtrenjtë ata ndoshta nuk kanë memorandum të bashkëpunimit. Po më duket një telashe e panevojshme, kur me një ekip të punës, një memorandum bashkëpunimi mundet për gjysmë ore me disloku e jo me mbet me vite të tëra”, ka thënë Berisha.

Komuna thotë se ka kontaktuar me KEDS-in për t’u informuar se çfarë i takon asaj të bëjë për këtë çështje.

Në anën tjetër, KEDS-i bën të ditur se trafoja nuk është vendosur nga ata, por ka qenë aty vite më herët.

Zëdhënësi Viktor Buzhala thotë se komunës i takon që ta zhvendosë trafon sipas zgjidhjes teknike të bërë nga KEDS-i.

“Trafoja ka qenë ekzistente aty, pra nuk është vendosur nga KEDS-i, por ka qenë gjithnjë aty. Si rrjedhojë, bëhet fjalë për strukturë të rrjetit ekzistent të trashëguar në këtë situatë. Në këto rrethana, në bazë të procedurave të rregullta, zhvendosja i takon kërkuesit, pas zgjidhjes teknike të bërë nga KEDS-i. Ne e kemi bërë zgjidhjen teknike dhe i mbetet kërkuesit, përkatësisht Komunës së Prishtinës, që të veprojë dhe ta bëjë bartjen konform zgjidhjes teknike të bërë nga KEDS-i”, ka thënë Buzhala.

Derisa Komuna dhe KEDS-i të gjejnë një zgjidhje, trafoja, sipas drejtorit, do të vazhdojë t’i rrezikojë nxënësit e kësaj shkolle.