Dogjën qenin për së gjalli, shoqëria civile në Prishtinë kërkon hetim Foto: Ilustrim

Dogjën qenin për së gjalli, shoqëria civile në Prishtinë kërkon hetim

13 nëntor 2018 11:05

Aktivistët për të drejtat e kafshëve kanë kërkuar hetim për një djegie të një qeni së fundmi në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.

Elza Ramadani nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka thënë për Koha.net se djegia e kafshëve është akt makabër që po përsëritet në kryeqytet.

Në një postim në Facebook, kjo organizatë ka publikuar fotografi të djegies së një qeni vitin e shkuar, dhe të rastit të fundit. Ka thënë se do të kërkojë kontrolle më të shtuara në lagje pas këtyre akteve.

“Djegiet e qenve për së gjalli në lagjen ‘Kodra e Trimave’, në Prishtinë. Fotoja e parë tregon djegien e një qeni Pit Bull, vitin e kaluar (2017), kurse fotot e tjera, siç shihet, serish një qen i djegur, ditë më parë. Dëshmitarja e këtij akti mizor i ka fotografuar personalisht. Normalisht, nuk ka qenë e pranishme më herët që t'i identifikojë kryerësit e veprës së krimit, por i fotografoi më vonë. Së shpejti edhe policia duhet të njoftohet dhe të ketë një kontroll me të shtuar në lagjen në fjalë dhe që aktet e tilla makabre, të mos përsëritën kurrë më! Shpresoj që policia të na mbështesë në këtë!” thuhet në postimin e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve.

Pasi ka shkuar në stacionin policor në qendër, Ramadani ka thënë se policia i ka kërkuar të japë deklaratë në stacionin më të afërt policor lidhur me rastin. Sipas saj, policia nuk e konsideron rastin e ndjeshëm dhe kanë vlerësuar se po nëse ndihet vazhdimisht e rrezikuar mund të lajmërohet përsëri.

“Isha në polici në qendër, por nuk po e marrin rastin. Duhet me dhënë deklaratë në stacionin më të afërt policor. Më thanë se nuk është rasti aq i ndjeshëm për me e marrë parasysh. ‘Nëse je e rrezikuar vazhdimisht mandej lajmërohesh’. Për ta nuk është rasti aq i ndjeshëm dhe s’ka rrezik. Ja vlen të theksohet se edhe shëndeti publik me këto gjeste vazhdimisht po rrezikohet. Aty ka fëmijë që sillen e luajnë e nuk është në rregull. Pos faktit që kanë bërë gjest shumë të keq dhe krim ndaj kafshës”, ka thënë ajo.

Postimi i Fondacionit. Kujdes, pamje të rënda!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme