Arbëri

“Mati 1” edhe këtë dimër pa ngrohje qendrore, Termokosi premton se bëhet vitin tjetër

Banorët e lagjes “Mati 1” në kryeqytet edhe këtë dimër do të duhet të shpenzojnë qindra euro për ngrohje me rrymë, në mungesë të kyçjes në sistemin e ngrohjes së Termokosit.

Kjo pasi ngrohtorja e qytetit planifikon që në pranverën e vitit të ardhshëm t’i fillojë punimet për kyçjen edhe të kësaj pjese, raporton KTV.

Banorët ankohen se, megjithëse mundohen që të përdorin në masë sa më të vogël rrymën për t’u ngrohur, shumat e faturave janë të papërballueshme për ta.

Banorët theksojnë se me vite të tëra u është premtuar kyçja në këtë rrjet, por kjo asnjëherë nuk ka ndodhur.

Lidhja e kësaj pjese në sistemin e Termokosit, sipas banorëve, do të ndikonte edhe në uljen e nivelin të ndotjes së ajrit, e cila vjen më së shumti si pasojë e përdorimit të thëngjillit.

Edhe një banore tjetër tregon se faturat e rrymës janë vështirë të përballueshme për ta.

Zëdhënësja e Termokosit, Aferdita Uka – Fejzullahu, ka thënë se vonesat në kyçjen e kësaj pjese janë si pasojë e kërkesave të mëdha të qytetarëve për t’u lidhur me sistemin e koogjenerimit.

Sipas saj, zgjerimi i rrjetit të Termokosit bëhet sipas planit të hartuar nga Banka Gjermane për Zhvillim dhe donatorëve të tjerë.

Ky projekt, bën të ditur Uka - Fejzullahu, do të realizohet gjatë viteve 2019/2020 dhe se varësisht nga plani dinamik që do të përcaktohet nga punëkryesi do të dihet edhe saktësisht se kur këto ndërtesa do të kyçen në rrjet.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do ta mbështesë financiarisht dyfishimin e kapaciteteve të koogjenerimit. Ndërsa, sipas Komunës së Prishtinës, në 5 apo10 vitet e ardhshme, si rezultat i këtij investimi, do të kyçen rreth 200 mijë banorë.