Arbëri

Luftë deklaratash mes VV-së e Ahmetit pas vendimit të këtij të fundit për shkarkimin e drejtorëve

Qyqarllëk e mungesë respekti e kanë quajtur tashmë ish-drejtorët e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, faktin se Shpend Ahmeti dha lajmin për shkarkimin e tyre nga një studio televizive.

Në një konferencë të përbashkët me asamblistë, pos dy drejtorëve të shkarkuar, Arben Vitia e Nora Kelmendi, u paraqit edhe Yll Rugova – për të cilin nuk ka vendim për shkarkim.

Të tre thanë se Ahmeti po shkel mbi vullnetin e qytetarëve dhe angazhimin e aktivistëve të ish-partisë së tij, pa të cilët, sipas tyre, nuk do ta fitonte mandatin e dytë, raporton KTV.

Me largimin e Vetëvendosjes nga ekzekutivi, sipas tyre, u tjetërsua vullneti i qytetarëve.

Në të njëjtën ditë, nga Pallati e Rinisë, Ahmeti përsëri e mohoi mundësinë e një koalicioni më PDK-në, ndërsa shtoi se dera e tij mbetet e hapur për Vetëvendosjen, nëse ajo është e gatshme për bashkëpunim.

Pas largimit të Vetëvendosjes nga qeverisja, partnerë të PSD-së në kryeqytet mbeten AAK-ja, AKR-ja, LB-ja, Nisma dhe Alternativa.