Kostoja e lartë e shpronësimit detyron Komunën që t’i shtrojë sërish me kubëza dy rrugë në Mat

03 November 2018 18:12

Kanë nisur punimet për rindërtimin rrugëve “Shaqir Igrishta” dhe “Ndue Përlleshi”, në lagjen “Mati 1” të kryeqytetit.

Rrugë këto të dëmtuara nga automjetet e kategorive të rënda për shkak të ndërtimeve të reja përgjatë tyre.

Në nisjen e punimeve, i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, tha se për shkak të kostos së lartë të shpronësimit, rrugët do të shtrohen sërish me kubëza, raporton 038 në KTV.

“Para pesë viteve tashmë i kemi shtruar në kubëza për shkak të nevojës së banorëve, për shkak të shpronësimit shumë të lartë janë rrugë me kubëza dhe meqë kanë vazhduar punimet për katër vite prapë janë dëmtuar rrugët dhe sot kemi rifilluar për ta sanuar gjendjen dhe për të kubëzat e reja”, ka thënë Ahmeti.

Komuna do t’i shfrytëzojë këto punime edhe për vendosjen e gypit të kanalizimit në mënyrë që ndërtesat e reja përreth të bëhen me rrjet të ri të kanalizimit.

Sipas Ahmetit, kjo po bëhet që problemi i ujërave të zeza mos të bartet edhe në rrugët e tjera.

“Gjatë këtyre kohëve këtu janë ndërtuar shumë ndërtesa të reja të cilat nuk janë kyçur në mënyrë të rregullt në kanalizim, posaçërisht në ujëra atmosferikë dhe kanalizimin fekal. Po e shfrytëzojmë këtë rast që ta shtrojmë gypin e kanalizimit sipas planit rregullativ që e kemi në mënyrë që t'ua mundësojmë kyçjen krejt këtyre banesave në mënyrë të rregullt dhe pastaj ky problem të mos na bartet edhe në rrugën B siç ka ndodhur në të kaluarën”, ka thënë Ahmeti.

Banorët thonë se fëmijët e tyre janë të rrezikuar, si pasojë e rrugës së dëmtuar.

Megjithatë, ata mirëpresin rregullimin e rrugës.

Kryetari Ahmeti ka premtuar se edhe pjesa e pashtruar e kësaj rruge, aty ku lidhet rrugën “Isa Kastrati”, do të shtrohet në kubëza.

Ky projekt do t’i kushtojë komunës rreth 170 mijë euro, derisa pritet që punimet të përfundojnë brenda 90 ditësh.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme