Arbëri

Përfituesit nga falja e borxheve nuk po u përmbahen kontratave

Përfituesit e Ligjit për faljen e borxheve nuk po u përmbahen kontratave të nënshkruara me kompanitë publike për ri-programim të borxhit të vjetër. Zyrtarë të Ujësjellësit “Prishtina” dhe Ngrohtores “Termokos“ bëjnë të ditur se janë duke përgatitur vërejtjet e fundit për këta konsumatorë, dhe në rast të mos respektimit të kontratës do të dërgohen te përmbaruesit si dhe do t’u kthehet borxhi i vjetër.

Zëdhënësja e Kompanisë Publike “Termokos”, Aferdita Uka, tha për Radio Kosovën se kjo kompani është njëra ndër ato që ka pasur sukses në lidhjen e kontratave për faljen e borxheve. Por, për fat të keq, është një numër i madh i konsumatorëve që nuk i respektojnë kushtet e kontratës.

“Sado që kemi qenë njëra ndër kompanitë e cila ka ecur shumë mirë në zbatimin e ligjit për faljen e borxheve publike, prapë se prapë një pjesë e madhe e konsumatorëve, të cilët tashmë kanë marrëveshjet kontraktuale me “Termokosin“ për ri programimin e borxhit të mbetur dhe ndarjen në këste, nuk i janë përmbajtur kësaj kontrate dhe nuk i kanë paguar me rregull këstet të cilat është dashur”, tha ajo.

Uka theksoi po ashtu, se janë duke përgatitur vërejtjet e fundit për konsumatorët e tillë se në rast që nuk do t’i paguajnë këstet sipas marrëveshjes, atëherë do të ndërmerren të gjitha masat që parashihen me ligj, duke rikthyer borxhin e vjetër.

“Kur konsumatori shkakton tri vonesa lidhur me pagesat pas marrëveshjes, pjesa e paguar e borxhit shlyhet ndërsa pjesa e mbetur rikthehet. Tash jemi duke përgatitur vërejtjet e fundit që do t’u dërgohen konsumatorëve të cilët në rast se nuk vazhdojnë me pagesën e kësteve që e kanë pasur obligim t’i paguajnë, do të tentohet përmes përmbaruesve privatë apo cilat do forma të tjera që parashihen me ligj, por edhe rikthimi i borxhit të mbetur”.

E kompania e Ujësjellësit “Prishtina”, në një përgjigje përmes postës elektronike i tha Radio Kosovës se çdo qytetar qe ka përfituar falje të borxhit dhe ka bërë kontratë për ri- programim të borxhit, duhet t’i përmbahet kontratës dhe t’i paguajë faturat mujore dhe borxhin e ri të programuar.

Sipas Ligjit për Faljen e Borxheve, çdo qytetar qe nuk i përmbahet marrëveshjes tre këste radhazi, lind e drejta e kompanisë që të rikthejë borxhin e falur dhe ta dërgojë për përmbarim dhe në gjykatë.