Arbëri

Edhe pse u pastrua, deponia në Arbëri mbetet në të njëjtën gjendje

Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën” i bashkoi mbi 100 mijë persona për një Kosovë pa mbeturina.

Në 35 komuna u pastruan shumë hapësira, por në disa vende që kanë qenë më problematiket, gjendja nuk ka ndryshuar shumë, raporton KTV.

Deponia ilegale në lagjen “Arbëria” është pothuajse në të njëjtën gjendje.

Përndryshe, Komuna e Prishtinës ka vite që ka thënë se kjo deponi do të rigjenerohet dhe do të shndërrohet në park rekreativ sportiv.

Probleme më mbeturina kanë edhe banorët e lagjes Kalabria. Thasët me bërllok të mbledhur gjatë aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” ende gjenden nëpër trotuaret e kësaj lagjeje.

Zyrtarë nga organizata “Let’s do it Kosova” kanë thënë se në mungesë të mjeteve, përgjegjësinë për largimin e tyre e kanë kompanitë e kontraktuara nga Komuna e Prishtinës, gjë për të cilën nga Komuna kanë thënë se nuk kanë qenë të njoftuar.